Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti Meta: Vendi në lëngatë të vazhdueshme të legjitimitetit të institucioneve, si zgjidhet kjo


Presidenti i Republikës Ilir Meta vijon me postimet lidhur me deklaratat që bëri një ditë më parë gjatë një konference për mediet.

Meta thotë se vendi është në një lëngatë të vazhdueshme të legjitimitetit dhe sipas tij kjo zgjidhet vetëm përmes luftës dhe përpjekjeve, për të garantuar votën e lirë.

“Është e qartë që vendi është në një lëngatë të vazhdueshme të legjimitetit të institucioneve shtetërore, politike dhe demokratike.

Pa asnjë diskutim kjo zgjidhet vetëm përmes luftës dhe përpjekjeve, për të garantuar votën e lirë.

Votën e lirë në nivel kombëtar, votën e lirë në nivel vendor dhe votën e lirë brenda çdo force politike, që kërkon të jetë e besueshme dhe t’i kontribuojë rivendosjes së sistemit të llogaridhënies demokratike në vend, sa më parë të jetë e mundur.”– thotë Meta në videon që shpërndan në rrjetet sociale.

Pak më herët ai ngriti shqetësimin mbi atë që e quan “krizë në arsim” dhe braktisjen masive të vendit nga të rinjtë.

“Është e papranueshme, që sipas INSTAT, më pak se 30% e pjesës më aktive të shoqërisë tonë, përkatësisht të moshës 25-39 vjeç, të jetë me arsim të mesëm.

Është e patolerueshme, që ndërsa arsimi 9-vjeçar është një detyrim ligjor për qytetarët e Shqipërisë, të kemi rreth 40% të popullsisë të moshës 25-39 vjeç, vetëm me arsim fillor.

Të gjitha këto janë premisa dhe nxitëse, për fat të keq, të braktisjes masive të vendit nga rinia dhe të shpopullimit të Shqipërisë në tërësi.

Prandaj pamëdyshje do ta cilësoja krizën në arsim, një krizë të rëndë ekzistenciale të shoqërisë tonë, për sot dhe për nesër.

Një dramë kombëtare, sepse i heq Shqipërisë, pasurinë e saj më të çmuar, rininë dhe burimet njerëzore, si promotorë të përparimit dhe të modernizimit të saj.”- shprehet Meta.