Vendosni fjalën kyçe....

Rusia shpall “non grata” kryeministrin britanik Boris Johnson


Rusia i ka ndaluar hyrjen në vend kryeministrit Boris Johnson dhe ministrave të tjerë të lartë britanikë për shkak të qëndrimit “armiqësor” të Britanisë së Madhe ndaj luftës në Ukrainë.

Sekretarja e Jashtme Liz Truss, Sekretari i Mbrojtjes Ben Wallace dhe 10 politikanë të tjerë të lartë janë ndaluar gjithashtu.

Siç shkruan agjencia e lajmeve ruse Ria, lista e zezë do të zgjerohet duke përfshirë politikanë dhe parlamentarë “të cilët kontribuojnë në nxitjen e histerisë anti-ruse, duke e shtyrë ‘Perëndimin kolektiv’ të përdorë gjuhën e kërcënimeve në dialog me Moskën dhe janë të angazhuar në nxitjen e paskrupullt të regjimit neo-nazist të Kievit.”

Moska tha se vendimi ishte marrë si hakmarrje ndaj sanksioneve të Mbretërisë së Bashkuar kundër saj që kur pushtoi Ukrainën.

“Ky hap u ndërmor si një përgjigje ndaj fushatës së shfrenuar informative dhe politike të Londrës që synon izolimin ndërkombëtar të Rusisë, krijimin e kushteve për frenimin e vendit tonë dhe mbytjen e ekonomisë së brendshme.”- shtoi Ministria e Jashtme.

Në mars, Moska vendosi një ndalim të ngjashëm kundër presidentit amerikan Joe Biden.