Vendosni fjalën kyçe....

Salianji për platformën e Alibeajt: Bëhet për interesa meskine dhe ndarjen e PD-së në dy parti


Deputeti Ervin Salianji ka treguar se pse emri i tij mungonte në listën e deputetëve demokratë që mbështesin platformën për bashkimin e PD-së të Enkelejd Alibeajt.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Salianji thotë se forma, mënyra dhe përgatitja e këtij dokumenti mbyllin rrugën për çdo diskutim të përbashkët dhe krijojnë premisat për ndarjen përfundimtare të Partisë Demokratike.

“Çdo deklaratë e njëanshme pa marrë as dakordësinë për publikim të shumë prej kolegëve e përçan dhe ndan Partinë Demokratike, përforcon idenë që ka llogore dhe i fryn ndasive që ekzistojnë! Dokumenti i paraqitur është tërësisht i ndryshëm nga ai që personalisht mu paraqit dje 5 minuta para konferencës së anuluar për shtyp!

Forma, mënyra dhe përgatitja e këtij dokumenti mbyllin rrugën për çdo diskutim të përbashkët dhe krijojnë premisat për ndarjen përfundimtare të Partisë Demokratike!
Përgjegjës për krijimin e 2 partive do të jenë ata që dukshëm po venë interesat e përfitimeve personale mbi interesat e demokratëve!

Dorëheqjet duke mos hequr dorë nuk janë zgjidhje ashtu si çdo proces i njëanshëm është i dëmshëm për Partinë Demokratike!”– shkruan Salianji.

Sipas tij, koha do ta tregojë se platforma e Alibeajt është bërë për interesa meskine të ndarjes së PD-së në dy parti.

“Pas deklarimit publik të këtij dokumenti mbyllet dera për çdo zë racional dhe për të mbrojtur çdo interes që zgjedhjet brenda partisë të jenë gjithëpërfshirës!
Koha do të zbulojë se si kjo deklaratë publike bëhet për interesa meskine, me strategjinë e qartë qe Partia Demokratike të ndahet dhe të krijohen 2 parti!

Ofertat publike apo ultimatumet janë një gjuhë që nuk i rrinë për shtat as një komunikimi normal me kundërshtarin politik dhe jo më me pjesëtarët e të njëjtës familje politike. Forumet e partisë aty janë, mungon vetëm vullneti ne rastin më të mirë apo akoma më keq synimi për ta ndarë PD në pjesë!

Përgjegjës do të mbahen ata që përpiqen të mbajnë me thonj privilegje të pamerituara dhe përfitime tërësisht personale!”-shton Salianji.