Shqipëria dhe Kosova kanë tashmë një pikë tjetër të përbashkët kufitare Shishtavec-Krushevë, e cila do të lidhë dy vendet përmes Kukësit dhe zonës së Dragashit.
Pika e kalimit kufitar u inagurua nga ministrat e Brendshëm të Shqipërisë dhe Kosovës, Bledi Çuçi dhe Xhelal Zvecla.
“Në axhendën tonë të përbashkët të filluar me nënshkrimin e tre marrëveshjeve, ky është një nga hapat e rëndësishëm të jetësimit të këtyre marrëveshjeve. Duhet ta konsiderojmë një vend, jo të huaj, por një vend që përkohësisht kemi disa regjime që na e ndërlikojnë pak lëvizshmërinë, por shumë shpejt ne do t’i heqim dhe jam besimplotë se brezi jonë do ta jetojë dhe do ta shijojë këtë vizion që kemi në mendje dhe në vullnetin e dy qeverive në Shqipëri dhe Kosovë.”– tha ministri Çuçi.
Qeveria shqiptare vendosi në shtator të vitit të shkuar për të hapur këtë pikë të kalimit kufitar.
Kryeministri Rama ndërsa ndan në rrjetet sociale një video nga cremonia e inaugurimit të pikës së re kufitare, shprehet se shpejt do firmoset edhe një marrëveshje për lëvizjen e lirë.
“Shishtavec – Krushevë, pika e re e përbashkët kufitare mes Shqipërisë dhe Kosovës që u hap pas marrëveshjes së nënshkruar nëntorin e shkuar mes dy qeverive, hyri në shërbim 24 orë në 7 ditë të javës.
Shumë shpejt finalizohet edhe zbatimi i marrëveshjes për lëvizjen e lirë të banorëve të brezit kufitar, kërkesë e kahershme e cila tanimë po bëhet realitet.”– shkruan Rama.