Vendosni fjalën kyçe....

Zhduket matësi, policia amerikane paralajmëron për kontaminim radioaktiv


Policia amerikane ka paralajmëruar për një kërcënim të kontaminimit radioaktiv pasi një matës portativ bërthamor u zhduk nga një makinë e vjedhur në shtetin e Pensilvanisë.

Të premten, Departamenti i Mbrojtjes së Mjedisit të Pensilvanisë (DEP) i kërkoi publikut ndihmë në kërkimin e një matësi “që përmban burime të mbyllura të materialit radioaktiv”. Sipas deklaratës, pajisja i përkiste KAKS&Company LLC me bazë në Pensilvani, e cila ofron shërbime në inspektimin e ndërtimit dhe testimin e dherave, raporton RT.

Departamenti nuk specifikoi se kur saktësisht u vodh makina dhe matësi, i cili “zakonisht përdoret për të vlerësuar vetitë e materialeve të ndërtimit dhe të shtratit të rrugëve në kantieret e ndërtimit”.

“Matësi ishte siguruar në një automjet të vjedhur në Filadelfia. Kur automjeti u gjet, matësi nuk ishte më brenda dhe mund të jetë hedhur”, thuhet në deklaratë.

Departamenti theksoi se normalisht matësi nuk paraqet ndonjë rrezik. Megjithatë, nëse pajisja është dëmtuar rëndë ose goditet nga një automjet, “ekziston potencial për dëmtim të burimit radioaktiv dhe përhapje të kontaminimit”. Prandaj, DEP rekomandoi që kushdo që gjen matësin të jetë jashtëzakonisht i kujdesshëm, të mos e prekë ose të qëndrojë pranë tij për një kohë të gjatë dhe “të kontaktojë menjëherë autoritetet lokale”.

Ky nuk është rasti i parë që DEP raporton mungesën e pajisjeve bërthamore. Në tetor 2021, DEP dhe policia e shtetit ndihmuan në kërkimin e një matësi të ngjashëm, me pronarin që ofronte një shpërblim 1000 dollarë për kthimin e tij. Me sa duket, matësi u gjet më vonë.

Incidente të ngjashme kanë ndodhur në 2016, 2013 dhe 2010.