Miliarderi dhe tashmë aksioneri i Twitter, Elon Musk po konsideron të sjellë partnerë biznesi për ta ndihmuar atë të blejë platformën e mediave sociale, raportoi të premten New York Post, duke cituar burime.
Sipas publikimit, Musk ka qenë në bisedime me investitorët që mund të bashkëpunojnë me të në ofertën e tij për Twitter. Një plan i ri që tërheq partnerë mund të shpallet brenda disa ditësh, thanë burimet e NY Post, duke vënë në dukje se ekziston një shans që Musk të bashkohet me firmën e kapitalit privat ‘Silver Lake Partners’.
Ai ka një histori bashkëpunimi me kompaninë, e cila po planifikonte të bashkëinvestonte në planin e Musk. Bashkëdrejtori i ‘Silver Lake’ Egon Durban është gjithashtu anëtar i bordit të drejtorëve të Twitter.
Si ‘Silver Lake’ ashtu edhe zëdhënësi i Musk nuk pranuan të komentojnë raportin.
Analistët thonë se bashkimi me firmat e kapitalit privat mund të ndihmojë Musk të kapërcejë pengesën e Twitter-it, që parandalon blerësit e mundshëm që të blejnë më shumë se 15% të një kompanie. Ai u miratua nga Twitter të premten, pasi disa anëtarë të bordit të Twitter thonë se oferta e Musk nënvlerëson kompaninë.
Musk është njeriu më i pasur në botë. Pasuria e tij neto vlerësohet në mbi 200 miliardë dollarë, me shumicën e parave të lidhura në aksionet e Tesla-s. Musk u bë aksioneri më i madh i Twitter në fund të marsit duke blerë 9% të aksioneve në kompani. Të enjten, ai ofroi të blinte Twitter me 54.20 dollarë për aksion në para të gatshme, duke e vlerësuar Tëitter në afërsisht 43 miliardë dollarë.
Ekspertët thonë se nuk ka gjasa që Musk të ngrejë ofertën e tij pasi tha se ishte ‘oferta e tij më e mirë dhe e fundit’. Megjithatë, nëse të gjitha mundësitë e tjera dështojnë, ai mund ta çojë ofertën e tij drejtpërdrejt te aksionarët e tjerë të Twitter dhe të blejë aksionet e tyre përmes një oferte tenderi.