Nga Andi Bushati
Këtë fundjavë pak më të gjatë se të tjerat ma bëri krejt të veçantë një nga ato surpriza kulturore të cilat kemi fatin ti shijojmë rallë e më rallë. Si një dhuratë befasuese pata rastin të shijoj filmin e fundit të regjizorit Roland Sejko, “La Macchina delle immagini di Alfredo C” (Makina e imazheve të Alfredo C).
Si mik dhe si artist atij i kam parë pothuajse gjithçka, që nga dokumentari “Shqipëria, vendi përballë”, ku të befason skrupoloziteti i rijetësimit të pamjeve të arkiavave dhe deri tek “Anija”, që ndërthur elementët autobiografikë të largimit të rëmujshëm nga vendi me ato të fatit të mijra emigrantëve shqiptarëve.
Por, dokufilmi i fundit është vërtetë një dhuratë e çmuar për këdo që ka nostalgji për magjinë e kinemasë së dikurshme, për këdo që ka kërshëri për historinë e totalitarizmave të shekullit të shkuar, për këdo që e ngacmon përthyerja e fateve njerëzore nga kapriçot tekanjoze të ngritjes dhe rënies së regjimeve.
Fabula nga e cila Roland Sejko ka marrë shkas është në vetvete një histori e çuditshme. Ajo niset nga aventura e një kameramani italian, të institutit Luce, i njëjti vend ku regjizori shqiptar punon sot, i cili e kishte perfeksionuar artin e tij duke filmuar manifestimet grandioze të Duçes në sheshin Venecia.
Tekat e fatit e hedhin atë në Shqipëri. Filmon po njësoj pushtimin italian të 7 prillit, instalimin e regjimit fashist këtu tek ne, luftën italo-greke në majat me borë të malit të Gramozit dhe së fundi, krejt çuditshëm, bëhet një nga 27 mijë italiantë që “merren peng” nga regjimi komunist pas përfundimit të luftës së dytë botërore.
Si i tillë duhet të fiksojë në celuloid, paradat e një tjetër diktature. “Hoxha ndryshe nga Musolini nuk e kishte bezdi të filmohej nga pas”, rrëfen naratori protagonist.
Dhe kështu përmes telekamerës me manivel, ritmin e së cilës e mban duke kënduar, Alfredo C. skicon përmes imazheve bardhë e zi profilin e dy diktaturave, aq të ndryshme në thelb, por aq të ngjashme kur i vështron pas telekamerës, me syrin e atij “që duhet të qëndrojë i padepërtueshëm përballë ritmit të ngjarjeve”.
Natyrisht, si një rrëmues i zellshëm i arkivave, prej ku zbuloi historinë e pararadhësit të vet në instituto Luce, Roland Sejko ka ndërthurur në filmin e tij edhe fiksionin apo zërat e shumë italianëve të tjerë, që ashtu si personazhi i romanit “Njeriu me top”, mbetën në malet tona, pas kapitullimit të Italisë dhe më tej akoma pas përfundimit të konfliktit botëror.
Prej tyre është përftuar një vepër që, ndonëse na duket sikur ia kemi njohur historinë, sërish mbetet befasuese, ndonëse ia kemi shikuar edhe më parë imazhet, sërish na godet, me përzgjedhjen, renditjen dhe vënien e tyre në funksion të një ideje.
Tek “La Macchina delle immagini di Alfredo C”, mund të zhyten lehtësisht edhe të pasionuarit e historisë, por mund ta shijojnë estetikisht edhe ata që nuk lenë mend pas të shkuarës, mund të dashurohen nostalgjikët e kinemasë, por pa bezdisur aspak gjeneratën e efekteve dixhitale, ajo mund të bëjë për vete si ata që duan të ruajnë në mënyrë fanatike kujtesën, po ashtu edhe ata që u intereson një fat i thjeshtë njerëzor.
Natyrisht, qëllimi i këtyre radhëve nuk është të bëjë kritikën e një filmi që tashmë është zgjedhur mes qindra të tjerëve si konkurent për çmimin më prestigjoz italian në kategorinë e dokumentarëve, “David di Donatello”, që ka marrë vëmendjen e mediave më prestigjize të bregut tjetër të Adriatikut dhe që po bën aty xhiron e kinemave.
Synimi është diku tjetër. Eshtë të bëjë apel që ngjarje të tilla, të ralla kulturore, të mos kufizohen vetëm me përkthimin rapa zhdrapa të ndonjë titulli të marë copy paste nga mediat e huaja. As të mos varrosen në hierarkinë fatkeqësisht të ulët të “lajmeve kulturore”, duke u renditur përkrah titujve që i bëjnë jehonë ndonjë bashkëpatrioteje që ka bërë bujë me shfaqen e ekzagjeruar të gjoksit gjatë parakalimeve në Oscar.
Mes varfërisë rënqethëse të një skene të dominuar nga telenovelat turke, ku rolin e regjizorëve po e luajnë humoristët banalë dhe atë të influencuesve personazhet e “Përputhen”, ku gjykimi për historinë kufizohet në sherrnajën për datën e çlirimit dhe ai për të sotmen në sasinë e grykësisë të Edit apo Saliut, ndodhi të tilla janë një luks.
Vepra si “La Macchina…” na bëjnë më të prekshme të shkuarën tonë, na yshtim të reflektojmë për raportin e njeriut me përthyerjet e historisë, na nxisin të mendojmë për raportin e shtrembër që kemi vënë me konservimin e kujtesës.
Këto janë arsye të mjaftueshme që filmi i Roland Sejkos të vijë sa më shpejt tek publiku shqiptar. Jo vetëm për tu parë dhe shijuar, por mbi të gjitha si mundësi për të debatuar.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Lapsi