Vendosni fjalën kyçe....

Kina po ndërton aeroplanmbajtësen e tretë, shtyhet përurimi për shkak të pandemisë


Një shpërthim masiv i Covid-19 në Shanghai ka çuar në ngecjen e planifikuar të aeroplanmbajtëses së tretë të Kinës, raportoi të dielën ‘South China Morning Post’ (SCMP), duke’ cituar burime.

Sipas medias, anija pritej të ishte gati këtë muaj, por orari u ndikua nga problemet me zinxhirin e furnizimit.

“Plani përballet me vonesë pasi pandemia e shfrenuar në Shangai ka vonuar transportin e disa përbërësve kryesorë.” – tha një burim i paidentifikuar për SCMP, një gazetë në gjuhën angleze me bazë në Hong Kong, në pronësi të ‘Alibaba Group’.

Burimi shtoi se ‘kantieri detar i Shangait ka pasur mungesë të personelit sepse pothuajse të gjitha ndërmarrjet lokale shtetërore duhet të transferojnë një sasi të caktuar të fuqisë punëtore për të ndihmuar fushatën e vazhdueshme kundër pandemisë’.

Anija gjigante, e njohur zakonisht si ‘Type 003’, ka qenë në ndërtim e sipër në kantierin detar Jiangnan në ishullin Changxing të Shangait që nga viti 2017. Sipas SCMP, aeroplanmbajtësja pritej gjerësisht të përurohej më 23 prill, që do të jetë 73-vjetori i Marinës Kineze. Mediat kineze raportuan vitin e kaluar se anija pritej të ishte gati në vitin 2022.

Pekini aktualisht ka dy aeroplanmbajtëse, ‘Liaoning’, që u ndërtua fillimisht si një anije sovjetike dhe ‘Shandong’, e futur në punë në vitin 2017. Lloji 003 do të pajiset me tre katapulta elektromagnetike, në krahasim me rampat e lëshimit që përdoren në anijet e brezit të vjetër.