Vendosni fjalën kyçe....

“Perëndimi me standarde të dyfishta, sulmi ndaj Ukrainës s’është më skandaloz se ai ndaj Irakut – Ish-ambasadori francez


Ish-ambasadori francez në SHBA dhe OKB, Gérard Araud i tha ‘Global Times’ të Kinës se pakënaqësia ndaj ‘standardeve të dyfishta’ të Perëndimit ka të ngjarë të largojë disa vende që të mbështesin qëndrimin e Uashingtonit ndaj Rusisë.

Ndërsa Evropa po ndjek drejtimin e Amerikës ndaj Rusisë, Araud parashikoi se nuk do të bëjë të njëjtën gjë në lidhje me Kinën.

Kina ishte midis 40 vendeve që votuan kundër ose abstenuan nga dënimi i ofensivës së Rusisë në Ukrainë në një takim të Kombeve të Bashkuara muajin e kaluar. India, Pakistani dhe Afrika e Jugut ishin mes abstenimeve, gjë që nuk e befasoi Araud.

“Ka një të kaluar koloniale që po ushqen pakënaqësi. Ekziston gjithashtu fakti që Perëndimi po i jep leksione pjesës tjetër të botës dhe po përdor standarde të dyfishta shumë shpesh.” – tha ish-diplomati për ‘Global Times’ shtetërore.

“Unë jam mjaft i vetëdijshëm se në fund të fundit, pushtimi i Ukrainës nuk është më skandaloz sesa pushtimi i Irakut në vitin 2003.” – vazhdoi ai.

“Franca kundërshtoi pushtimin e Irakut nga SHBA. Por është një shembull i mirë i asaj që mund të quash standarde të dyfishta.”

Udhëheqësit e Kinës kanë përmendur vazhdimisht ‘standardet e dyfishta’ të Perëndimit në shpjegimin e vendimit të tyre për të mos sanksionuar apo dënuar Rusinë për konfliktin ukrainas. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Zhao Lijian u tha gazetarëve të enjten se vendi i tij do të refuzojë ‘presionin ose detyrimin’ amerikan për ta bërë këtë.