Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka folur lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës në një konferencë me gazetarët nga Kryesia e Kuvendit.
Gjatë bisedës me gazetarët, Balla zbuloi se të mërkurën nisin konsultimet me grupet e tjera parlamentare për zgjedhjen e Presidentit të ri.
“Nesër do të jetë hapi i parë i konsultimit me grupin parlamentar të PS-së, i cili do të udhëheqë këtë proces për herë të parë në mënyrë ekskluzive. Pasnesër pasdite në orën 17:00 do të ftoj kryetarët e grupeve parlamentare që sipas mundësisë që kanë të ulemi në një nga sallat e Kuvendit për një takim të parë. Nuk kanë ndodhur takime të tjera, ai do të jetë takimi i parë. Me ata do të ndajmë mënyrën se si do të ecim në këtë proces. Për pjesën tjetër mendoj se Kushtetuta e Shqipërisë e ka shprehur qartë dhe nuk ka nevojë për referendum. Kjo është hera e parë që në Shqipëri i kërkohen propozime konkrete qytetarëve.”– tha Balla.
Balla propozoi që të martën pasdite të mbahej një mbledhje me tre kryetarët e grupeve parlamentare të opozitës, Enkelejd Alibeajn, Fatmir Mediun dhe Mesila Dodën.
“E katërta janë konsultimet me grupet parlamentare të opozitës. Do i ftojmë grupet parlamentare e meqë koha është shumë e shkurtër do propozonim që në një takim të martën pasdite të tre kryetarët e grupeve parlamentare, Enkelejd Alibeaj, si kryetari i grupit më të madh të opozitës, të PD, Mesila Doda e Fatmir Mediu në një takim paraprak këtu në zyrat e Kuvendit me qëllim që të fillojmë të identifikojmë ose parimet kryesore të një dialogu konstruktiv mes katër grupeve parlamentare.”– tha Balla.
Më pas, më 4 maj sipas tij do të jetë Seanca e parë.
“Seanca e parë të zhvillohet me datë 4 maj. Koha nuk është e pafundme. Procesi i konsultimeve të mbyllet brenda datës 29 prill. Tre raundet e para kërkojnë konsultime.”-tha Balla.
Për sa i përket propozimeve për emrin e Presidentit, Balla theksoi se edhe qytetarët ftohen të japin emra konkretë për presidentin e ri.