Vendosni fjalën kyçe....

Deklarata nga Moska: Ukraina po planifikon një provokim “monstruoz” në festën e Pashkëve ortodokse


Ministria ruse e Mbrojtjes ka deklaruar këtë të hënë se Kievi, me mbështetjen perëndimore, po planifikon të bombardojë kishat gjatë festimeve të Pashkëve Ortodokse në Ukrainën jugore dhe lindore, dhe më pas t’ia hedhë fajin Moskës.

“Batalionet nacionaliste do të formojnë më shumë se 70 grupe të lëvizshme të pajisura me mortaja me qëllim që të bombardojnë kishat ortodokse të dielën e Pashkëve.”- tha sipas RT-së gjeneralkoloneli Mikhail Mizintsev, i cili është kreu i Qendrës së Menaxhimit të Mbrojtjes Kombëtare të Rusisë.

Të krishterët ortodoksë do ta festojnë Pashkët më 24 prill, një javë pasi Pashkët u festuan në pjesën më të madhe të botës perëndimore. Sipas Mizintsev, sulmet janë planifikuar në rajonet Zaporozhye, Nikolaev, Odessa, Sumy dhe Kharkov. Plani sipas tij është që më vonë “të akuzohen trupat ruse për vrasje masive të civilëve në këtë ditë të shenjtë.”

Mizintsev pohoi se “disa vende perëndimore” po ndihmonin Kievin në përgatitjen e “provokimeve të sofistikuara monstruoze me viktima të shumta”.

Ministria e Mbrojtjes tha se ka prova të këtyre pretendimeve. Mizintsev i bëri thirrje OKB-së, OSBE-së dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq “të ndikojnë në regjimin e Kievit” për të parandaluar sulmet e planifikuara.

Ukraina nuk ka komentuar ende mbi këto akuza. Si Kievi ashtu edhe Moska kanë mohuar në mënyrë të përsëritur vrasjen e civilëve dhe po akuzojnë njëri-tjetrin për fushata dezinformuese.