Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev ka paralajmëruar ‘mazokistët e Brukselit’ se do duhet të ndryshojnë retorikën e tyre nëse mospagimi i borxhit rus që ata parashikojnë përfundon në falimentimin moral dhe material të Bashkimit Evropian.
Medvedev, i cili është nënkryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, shkoi në Telegram për t’iu përgjigjur vërejtjeve të kryetares së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Duke folur për ‘Bild’ më herët të dielën, ajo tha se ‘falimentimi shtetëror i Rusisë është vetëm çështje kohe’, duke iu referuar sanksioneve ekonomike perëndimore të vendosura ndaj Moskës për ofensivën e saj në Ukrainë.
Duke vënë në dukje se ‘tezja Ursula’ ka folur shumë për një falimentim të afërt rus, Medvedev sugjeroi se ishte diçka që politikanët e BE-së ‘e ëndërronin fshehurazi natën’.
“Kjo është strategjia e thellë e Bashkimit Evropian, qëllimi i fshehtë i mazokistëve nga Brukseli dhe partnerëve të tyre në lojërat nga përtej oqeanit.” – shkroi Medvedev në një postim.
Ish-presidenti paralajmëroi liderët e BE-së se çdo falimentim rus mund të shndërrohet në ‘një falimentim moral dhe, me shumë mundësi, material’ të vetë bllokut.
“Sistemi financiar i BE-së nuk është mjaft i qëndrueshëm, besimi i njerëzve po bie. Dhe nuk u lëkund aq shumë as në vitin e paharrueshëm të 2008, dhe atëherë ishte shumë e vështirë.” – tha ai, duke iu referuar të ashtuquajturit krizë të madhe financiare.
Ai në mënyrë sarkastike këshilloi BE-në të priste ‘mirënjohje të fuqishme’ nga qytetarët e tyre për hiperinflacionin, ‘i cili nuk mund t’i atribuohej më rusëve të ligj’, për mungesën e furnizimeve bazë në dyqane dhe për një krizë të re migracioni, e cila, sipas mendimit të Medvedev , ‘do të provokojë një valë krimi të dhunshëm më të keqe se ajo shqiptare’.
“Atëherë këlyshët në Bruksel do të duhet të ndryshojnë retorikën e tyre.” – tha ai, duke shtuar se në të kundërtën, ‘zjarret me erë gomash’ do të shfaqen në rrugët e ‘qyteteve evropiane të mirëmbajtura’.
Që nga nisja e ofensivës ruse në Ukrainë më 24 shkurt, BE-ja ka miratuar pesë paketa sanksionesh financiare kundër Moskës dhe tani po shqyrton të gjashtën. Kufizimet mbulojnë sektorë të ndryshëm të ekonomisë ruse, nga bankat te eksportet e qymyrit.
Ndërkohë, qindra kompani të huaja kanë pezulluar ose ndërprerë plotësisht veprimtarinë e tyre në Rusi. Moska i konsideron këto masa të paligjshme dhe të pajustifikuara dhe u është përgjigjur atyre me kundërsanksione.