Policia amerikane ka paralajmëruar për një kërcënim të ndotjes radioaktive pasi një matës portativ bërthamor u zhduk nga një makinë e vjedhur në shtetin e Pensilvanisë.
Të premten, Departamenti i Mbrojtjes së Mjedisit të Pensilvanisë (DEP) i kërkoi publikut ndihmë në kërkimin e një artikulli ‘që përmban burime të mbyllura të materialit radioaktiv’. Sipas deklaratës, pajisja i përkiste një kompanie me bazë në Pensilvani, e cila ofron shërbime në inspektimin e ndërtimit dhe testimin e dheut.
Departamenti nuk dha hollësi se kur u vodhën saktësisht makina dhe pajisja, e cila ‘përdoret zakonisht për të vlerësuar vetitë e materialeve të ndërtimit dhe të shtratit të rrugëve në kantieret e ndërtimit.
“Matësi ishte siguruar në një automjet të vjedhur në Filadelfia. Kur automjeti u gjet, matësi nuk ishte më brenda dhe mund të ishte hedhur.” – thuhet në deklaratë.
Departamenti theksoi se normalisht matësi nuk paraqet ndonjë rrezik. Megjithatë, nëse pajisja dëmtohet rëndë ose goditet nga një automjet, ‘ekziston mundësia për dëmtim të burimit radioaktiv dhe përhapje të ndotjes’.
Prandaj, DEP rekomandoi që kushdo që gjen matësin të jetë jashtëzakonisht i kujdesshëm, të mos e prekë ose të qëndrojë pranë tij për një kohë të gjatë dhe ‘të lidhet menjëherë me autoritetet’.
Ky nuk është rasti i parë që DEP raporton mungesën e pajisjeve bërthamore. Në tetor 2021, DEP dhe policia e shtetit ndihmuan në kërkimin e një matësi të ngjashëm, me pronarin që ofronte një shpërblim 1000 dollarë për kthimin e tij. Me sa duket, matësi u gjet më vonë. Incidente të ngjashme kanë ndodhur në 2016, 2013 dhe 2010.