Vendosni fjalën kyçe....

Babai i tij “non grata”, Ornaldo Rakipi nuk përjashtohet nga grupi parlamentar i PS-së


Partia Socialiste ka vendosur që të mos e përjashtojë Ornaldo Rakipin nga Grupi Parlamentar, pavarësisht sanksioneve të vendosura nga SHBA ndaj babait të tij, Aqif Rakipit.

Edhe pse ende nuk ka një qëndrim zyrtar, sipas “Balkanweb” në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së është thënë se përgjegjësia është personale, ndaj deputeti nuk ka të bëjë me akuzat që bien mbi të atin.

Kreu i grupit parlamentar Taulant Balla ka theksuar se qëndrimi i tyre mbetet i njëjtë dhe se i respektojnë gjithmonë vendet e SHBA-ve.

“Nëse ka diçka që ne si familje politike dallohemi nga të tjerët është se kurrë nuk kemi përdorur standarde të dyfishta.

Qëndrimi ynë është i njëjtë gjithmonë dhe ne i respektojmë vendimet e Shteteve të Bashkuara, aleatit tonë strategjik.”– është shprehur Balla sipas “Balkanweb”.

Ornaldo Rakipi jo vetëm nuk u përjashtua nga grupi, por madje ai dorëzoi edhe zarfin me 3 emrat që propozonte për president.