Vendosni fjalën kyçe....

Erion Veliaj fiton gjyqin me kunatin e Lulzim Bashës


Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka fituar betejën gjyqësore në Gjykatën e Posaçme të Apelit përballë Erion Isufit, kunatit të ish-kryetarit të PD-së, Lulzim Basha.

Kujtojmë se rreth një vit më parë, Erion Isufi, kunati i ish-kreut të PD-së Basha, paditi kryebashkiakun Veliaj. Isufi e ka dorëzuar padinë në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin e Krimin e Organizuar.

Ai kërkonte dënimin e Erion Veliajt për shpifje, lidhur me akuzat e këtij të fundit se Isufi zotëronte katër vila në resortet luksoze në Gjirin e Lalzit dhe në Long Hills në Tiranë, si dhe kishte aplikuar për leje për një të pestë në Bashkinë e Tiranës. Sipas Veliajt, Isufi i kishte përfituar vilat gjatë periudhës së pandemisë.

Por Gjykata e Posaçme e Apelit sipas “News 24”, njësoj si SPAK hodhi poshtë pretendimet e Isufit.

Kjo është fitorja e radhës për Veliajn në gjykatë përballë akuzave ndaj tij për shpifje, pas përballjes me deputetet demokrate Grida Dumën dhe Jorida Tabakun.