Vendosni fjalën kyçe....

Helidon Bendo raporton te “Siguria”: SHISH ka rekrutuar kandidatë të rinj, shërbimet e vendeve “jo miqësore” propagandë dhe disinformim


Shërbimi Informativ i Shtetit (SHISH) ka realizuar procesin e rekrutimit të kandidatëve të rinj.

Kjo u bë e ditur gjatë raportimit në Komisionin e Sigurisë në Kuvend, nga kreu i këtij institucioni Helidon Bendo.

Kreu i SHISH-it gjatë fjalës së tij në Komisionin e Sigurisë sipas “Balkanweb” ka deklaruar se janë përzgjedhur e diplomuar punonjës të rinj, me shkollim shumë të mirë, që ndoqën me sukses edhe kursin bazë të përgatitjes profesionale të linjës informativo-operative.

Bendo nënvizoi se: “SHISH ka përmbushur detyrat ligjore, ka vijuar me konsolidimin e strukturës së re, ka rritur dinamizmin dhe cilësinë e informimit për autoritetet e larta shtetërore dhe ka rritur shkëmbimin e informacionit me agjencitë ligjzbatuese në nivel qendror e vendor për kundërvënie konkrete e domethënëse.

Gjithashtu ka vijuar dhe zgjeruar bashkëpunimin me shërbimet partnere, sipas niveleve dhe fushave të miratuara”.

Në raportin e bërë me dyer të mbyllura, Bendo tha se situata në rajonin tonë është e karakterizuar nga zhvillime të brendshme politike të brishta, të cilat kanë sjellë paqëndrueshmëri qeverisëse në disa shtete.

Sipas tij, mosmarrëveshjet ndërshtetërore po shfrytëzohen nga vendet e treta për të mbajtur situatën në rajon të destabilizuar me qëllim pengimin apo shtyrjen në kohë të proceseve integruese në BE e NATO të vendeve të caktuara të rajonit.

“Veprimtaria e shteteve/shërbimeve të inteligjencës kundërshtare ka vijuar me ndërthurje në rritje të aktiviteteve të inteligjencës me ato të natyrës hibride, si aktivitete influencuese malinje, propagandë e dizinformacion, narrativa përçarëse e me ndikim në perceptimin publik.

Këto shtete e shërbime jomiqësore me Shqipërinë, përdorin aktivitetet klasike dhe hibride për realizimin e synimeve të tyre. Në veprimtaritë e spiunazhit, ato përdorin një kombinim të metodave të mbyllura dhe të hapura, konvencionale (klasike) dhe jo[1]konvencionale që përfshijnë propagandën, dezinformimin, sulmet kibernetike, grumbullimin e informacionit sensitiv nëpërmjet ndërhyrjes në rrjetet kompjuterike, për qëllime spiunazhi kibernetik, për të realizuar aktivitete/operacione influence informative dhe psikologjike.”- theksoi drejtori i SHISH-it.