Vendosni fjalën kyçe....

Kim takohet me kreun e ri të KLP-së: SHBA vazhdon mbështetjen e Reformës në Drejtësi


Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim ka zhvilluar një takim këtë të martë me kreun e ri të KLP-së, Alfred Ballën.

Përmes një postimi në “Twitter”, Kim shprehet se i ka uruar Ballës suksese në detyrën e tij të re, ndërsa thekson se SHBA do të vijojë që të mbështesë Reformën në Drejtësi në të gjitha elementët e saj.

Ambasadorja shton se është me rëndësi që ky organ i drejtësisë të bëjë punën me integritet dhe transparencë për të siguruar standarde të larta.

“U takova me Fredi Ballën për t’i uruar sukses në postin e tij të ri si Kryetar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Është thelbësore që Këshilli i Prokurorisë të bëjë punën e tij me integritet dhe transparencë për të siguruar standarde të larta dhe llogaridhënie të prokurorëve. SHBA do të vazhdojë të mbështesë të gjithë elementët e reformës në drejtësisë.”- shkruan Kim, ndërsa ndan një foto nga takimi me Alfred Ballën, i cili u zgjodh si kryetari i ri i KLP-së më 28 Mars.