Vendosni fjalën kyçe....

Lepurushi i Pashkëve me mision për të larguar Bidenin nga gazetarët dhe gafat e mundshme (VIDEOT)


Videot e publikuara në mediat sociale ditët e fundit sugjerojnë se një “ndihmës” i ri është caktuar për të larguar Presidentin amerikan Joe Biden nga bisedat me gazetarët duke e shpëtuar nga ndonjë gafë e radhës: Lepuri i Pashkëve.

Pamjet e xhiruara gjatë një eventi në Shtëpinë e Bardhë të hënën, tregojnë një punonjës të veshur si Lepurushi i Pashkëve, që ndërhyn të paktën dy herë për të larguar presidentin nga situata potencialisht të vështira.

Në videon e parë, Biden shihet duke folur me një grup gazetarësh. Ndërsa ai fillon t’i përgjigjet një pyetjeje rreth Pakistanit dhe Afganistanit, një person i veshur si lepurush ndërhyn për t’ia ndërprerë fjalinë në mes.

Punonjësi i veshur me kostum futet mes Bidenit dhe gazetarëve, duke tundur të dyja duart në fytyrën e presidentit, dhe në atë moment presidenti kthehet pas dhe largohet nga grupi. Ai ecën si një fëmijë i hutuar.

Videoja e dytë tregon të njëjtin lepur duke ndërhyrë sërish pasi Biden i afrohet gardhit për të folur me një grup fëmijësh dhe prindërish. Lepuri futet mes Bidenit dhe turmës dhe, ashtu si në rastin e parë, i tund të dyja duart presidentit dhe i bën shenjë që të largohet.

Biden i cili është në moshën 79-vjeçare, është presidenti më i vjetër i SHBA-së në histori. Ai ka bërë një sërë gafash që kur mori detyrën vitin e kaluar. Kritikët i kanë kërkuar shpesh atij që të bëjë një test për të provuar nëse ai është i aftë mendërisht për të shërbyer si president. E duket se lepurushi, është gjetja më e fundit për ta shpëtuar presidentin nga kryerja e gafave të tjera.