Vendosni fjalën kyçe....

Ornaldo Rakipi nuk u përjashtua nga PS/ Enkelejd Alibeaj: Prova e radhës se Rama e ka të pamundur të ndahet nga “non gratat”


Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ka reaguar pas vendimit të Partisë Socialiste për të mos përjashtuar Ornaldo Rakapin nga grupi parlamentar, pas shpalljes “non grata” të babait të tij nga SHBA.

Në një postim në rrjetet sociale, Alibeaj thotë se kjo është prova e radhës se kryeministri Edi Rama e ka të pamundur të ndahet nga “non gratat”.

“Asnjë habi nga ishulli i non grata-ve.
E sotmja ishte prova e radhës se Edi Rama e ka të pamundur të ndahet nga non gratat sepse vetëm falë tyre ai arrin të mbajë karrigen e kryeministrit.
Vendimi i sotëm i grupit parlamentar të PS është qartas dëshmi e pushtetit dhe pengmarrjes që klubi i nongratave ka në politikën shqiptare. PD e ka denoncuar kohë më parë përfshirjen e Aqif Rakipit në procesin e blerjes së votave. Ky fakt i konfirmuar dhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit nuk arrit ta bindë Edi Ramen dhe deputetet e tij se votat e blera për llogari të të birit duhet të jenë një alarm për ecurinë normale të parlamentarizmit.
Me avokatinë e sotme ndaj Ornaldo Rakipit, kryeministri dëshmoi qartë se ai është ideatori i masakrës elektorale të 25 prillit. Zbatuesit e kësaj masakre janë grupi i non gratave që sot janë ende aktivë në strukturat e PS. Jo rastësisht dhe në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, PD denoncoi përfshirjen e Tom Doshit dhe Vangjush Dakos në fushatën për zgjedhjen e kryebashkiakëve.
Askush nuk habitet pra nga ishulli i non grata-ve ku çdo gjë është e vjedhur!”- shkruan Alibeaj.

Ky reagim i Alibeajt vjen pasi Partia Socialiste ka vendosur që të mos e përjashtojë Ornaldo Rakipin nga Grupi Parlamentar, pavarësisht sanksioneve të vendosura nga SHBA ndaj babait të tij, Aqif Rakipit.  Ornaldo Rakipi jo vetëm nuk u përjashtua nga grupi, por madje ai dorëzoi edhe zarfin me 3 emrat që propozonte për president.