Vendosni fjalën kyçe....

Popullsia e vendit, më keq se skenari pesimist i parashikimeve


INSTAT raportoi se popullsia e vendit në 1 janar 2022 ishte 2,793,593 persona me një rënie 1.3% nga viti 2020. Kjo ecuri është më negative se skenari pesimist i projeksioneve të INSTAT për ecurinë e Popullsisë 2019-2030.

INSTAT i përditëson projeksionet për popullsinë një herë në pesë vite, teksa kryen një cens ku numëron njerëzit qe jetojnë brenda vendit një herë në 10 vite. Censi i popullsisë pritet të kryhet në vjeshtë të këtij viti.

Në vitin 2019 INSTAT publikoi projeksionet e reja të ecurisë së popullsisë 2019-2031, ku në vitin 2022 popullsia e vendit sipas skenarit pesimist duhej të ishte mbi 2,843,473 persona, por ecuria reale treguesit vjetor tregojnë gati 50 mijë persona më pak, teksa matjet nga censi pritet ta nxjerrin më të përkeqësuar këtë tregues.

Popullsia e Shqipërisë në vitin 2031, sipas projeksioneve të përditësuara, llogaritet të jetë 2.745.996 banorë. Ky numër është rreth 36 mijë banorë më pak krahasuar me numrin e popullsisë në Projeksionet e Popullsisë 2011 – 2031. Por vlerësimet vjetore kanë treguar ulje më të madhe, duke rrezuar kështu projeksionet.

Popullsia e vendit tonë po tkurret me ritme më të shpejta se përvojat europiane në këtë fushë. Bizneset dhe ekonomia e vendit për herë parë po përballen me fenomenin e mungesës së fuqisë punëtore.

Një nga shkaqet e tkurrjes së popullsisë janë ritmet e lartë të emigracionit. Për vitin 2021 emigracioni neto ishte mbi 42 mijë persona. https://www.monitor.al/popullsia-e-shqiperise-tkurret-ne-2-79-milione-banore-ne-2021-rritje-e-ndjeshme-e-emigracionit-ikin-42-mije-persona/

Emigracioni ka thyer projeksionet e INSTAT, të cilat nuk parashikonin që fenomeni të mbetej kaq i lartë, madje të përkeqësohej pas 30 viteve emigracion.

Përllogaritjet e popullsisë më 1 janar 2022 tregojnë se vetëm një qark i vendit shënojë rritje të popullsisë, krahasuar me një vit më parë, ndërsa njëmbëdhjetë qarqet e tjerë shënuan rënie të popullsisë.

Rritja u shënua në Tiranë (+ 0,8 %). Në të kundërt, uljet më të mëdha të popullsisë u shënuan në qarqet: Gjirokastër (- 4,7 %), Berat (- 3,7 %) dhe Dibër (- 3,6 %). Qarku me raportin e varësisë së të rinjve më të lartë është Kukësi (33,5 %), i cili po ashtu rezulton edhe si qarku me raportin e varësisë së të moshuarve më të lartë (26,2 %), ndjekur nga qarku i Lezhës me (26,1%).

Më 1 janar 2022 Tirana zë rreth 32,9 % të popullsisë gjithsej, duke vazhduar të jetë një nga qarqet më të populluara të vendit, ndjekur nga Durrësi dhe Fieri me nga 10,4 % dhe 10,0 % përkatësisht. Sa i përket qarqeve të tjerë, pesë prej tyre zënë respektivisht nga 2 % deri 5 % të popullsisë gjithsej./B.Hoxha

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor