Ushtria ruse u bëri thirrje forcave ukrainase dhe luftëtarëve të huaj të strehuar në fabrikën metalurgjike ‘Azovstal’ në qytetin port ukrainas të Mariupolit që të dorëzojnë armët deri në mesditë me orën e Moskës nëse duan të jetojnë.
Mariupol, i cili ka qenë i rrethuar nga trupat ruse për javë të tëra, ka parë luftimet më të ashpra dhe shkatërrimin më të plotë që kur Rusia dërgoi trupa në Ukrainë më 24 shkurt.
Autoritetet ukrainase thanë të hënën se jo më pak se 1,000 civilë fshiheshin në strehimoren nëntokësore nën uzinën e madhe ‘Azovstal’, duke shtuar se Rusia po hidhte bomba të rënda mbi fabrikën e mbajtur nga ukrainasit në qytetin e rrethuar.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë lëshoi të martën një deklaratë duke u bërë thirrje forcave ukrainase dhe luftëtarëve të huaj brenda të dorëzohen.
“Të gjithë ata që i dorëzojnë armët kanë garanci se do lihen gjallë.” – tha Ministria e Mbrojtjes.
Më herët të martën, forcat separatiste të mbështetura nga Rusia thanë se po përpiqeshin të sulmonin fabrikën e çelikut ‘Azovstal’ dhe të merrnin kontrollin e saj sa më shpejt që të ishte e mundur.