Vendosni fjalën kyçe....

Zakharova akuzon OKB-në se gënjen: S’ka bërë asnjë përpjekje për të kontaktuar Putinin


Ministria e Jashtme e Rusisë ka hedhur poshtë deklaratën e bërë nga zëdhënësi i Antonio Guterres, se Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së është përpjekur të kontaktojë me presidentin rus Vladimir Putin së fundmi.

Të martën, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, publikoi një postim në kanalin e saj “Telegram” ku mohonte se ka pasur ndonjë përpjekje për komunikim nga ana e Guterres.

“Një koment i shkurtër: Jo. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së nuk është përpjekur të kontaktojë me presidentin rus.”– këmbënguli Zakharova, citon RT. Ajo shtoi se “askush nuk ka bërë hapa të tillë, qoftë në misionin e përhershëm të Rusisë në OKB apo drejtpërdrejt në ministrinë e jashtme”.

Ky reagim vjen pasi zëdhënësi i Guterres, Stéphane Dujarric, iu përgjigj pozitivisht pyetjes së gazetarëve nëse shefi i tij ishte përpjekur të kontaktonte presidentin rus pas fillimit të ofensivës ushtarake të Kremlinit.

Zakharova u bëri thirrje “përfaqësuesve të Sekretariatit të OKB-së që të kthehen në realitet”.

Të mërkurën e kaluar, Guterres u tha gazetarëve se ndërsa “në momentin aktual një armëpushim global në Ukrainë nuk duket i mundur”, zyra e tij i kishte propozuar Rusisë që “të bashkojë palët dhe të menaxhojë” evakuimin e civilëve nga zonat më të prekura nga luftimet në Ukrainë. Ai shtoi se OKB-ja ishte në pritje të përgjigjes së Moskës.

Më 22 mars, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së denoncoi ofensivën ushtarake të Rusisë kundër Ukrainës si një “luftë absurde”, që po i kalonte njerëzit atje në një “ferr të gjallë“. Ai shtoi se “vazhdimi i luftës në Ukrainë është moralisht i papranueshëm, politikisht i pambrojtur dhe ushtarakisht i pakuptimtë”.