Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me kryetarin e Bashkisë Tiranë kanë prezantuar flotën e gjelbër të autobusëve elektrikë për kryeqytetin.
Balluku shkruan në rrjetet sociale se janë ndërmarrë një sërë iniciativash për të nxitur transportin miqësor me mjedisin dhe krijuar kushte më të mira për qytetarët.
“Së bashku me Erion Veliaj në prezantimin e flotës së gjelbër të Autobuzëve Elektrikë nëTiranë. Kemi ndërmarrë një sërë iniciativash për të nxitur transportin e gjelbër, miqësor me mjedisin, duke krijuar në këtë mënyrë kushte sa më të mira për të gjithë qytetarët të cilët zgjedhin të udhëtojnë përmes mjeteve të transportit publik. Kemi ende punë për të bërë, për ta çuar këtë sektor aty ku qytetarët e meritojnë”-shkruan Balluku.
Nga ana tjetër Veliaj tha se po hartohet plani që tre linja të transportit publik në Tiranë të jenë me korsi të dedikuar.
“Për ta bërë edhe më të pëlqyeshëm dhe frekuentueshëm përdorimin e autobusit, bashkë me ekspertët e GIZ-it po hartojmë një plan për të kthyer tre linja të Tiranës – linjën Kinostudio-Kombinat, linjën e Unazës dhe linjën e Tiranës së Re – në atë që quhet ‘Bus Rapid Transit’: pra, linja me korsi të dedikuar, të ngjashme me ato që mund të keni parë në Stamboll, që funksionojnë si tram ose metro, por në këtë rast janë autobusë. Ka shumë njerëz që thonë pse nuk e bëjmë dot një tram ose metro në Tiranë. Së pari, sepse nuk gënjejnë për fushatë dhe pastaj nuk e bëjmë tramin. Së dyti, është llogari. Shumë prej vendeve të Ballkanit, siç mund të jenë Bullgaria apo Rumania, e përballojnë metronë vetëm falë subvencioneve sepse janë anëtare të BE-së”, tha Veliaj.