Vendosni fjalën kyçe....

Çuçi takim me policitë e tre qarqeve: Jemi në stinën e mbjelljes së kanabisit, legalizimi nuk duhet keqkuptuar


Ministri i Brendshëm Çuçi u ka bërë thirrje strukturave të policisë që të rrisin vëmendjen lidhur me kultivimin e kanabisit në vend duke qenë se tani, sipas tij, është stina e mbjelljes.

Ai e bëri deklaratën në një takim me strukturat e policisë së qarqeve Lezhë, Shkodër e Kukës.

Sipas ministrit, legalizimi i kanabisit në vend nuk duhet keqkuptuar pasi do bëhet vetëm për qëllime mjekësore e do jetë veprimtari e rregulluar me ligj.

“Jemi në stinën e mbjelljes prandaj vëmendja e Policisë së Shtetit duke filluar që nga inspektorët bazë në terren dhe deri tek drejtuesit më të lartë duhet të jetë maksimale. Përveç monitorimit të përvitshëm që bëjmë nga ajri me mjete të Guardia di Finanza dhe me dronë, do të kemi shumë shpejt edhe pamjet e shërbimint satelitor për një kontroll të më plotë të territorit në të gjithë vendin. E rëndësishme është gjithashtu të mos keqkuptohet nga askush synimi ynë për legalizim të kanabisit vetëm për qëllime mjekësore, që do të jetë një aktivitet i rregulluar me ligj të veçantë dhe i kontrolluar rreptësisht përmes kompanive që do të licencohen. Çdo formë tjetër e kultivimit të kanabisit konsiderohet aktivitet i paligjshëm e kriminal për të cilin do të ketë zero tolerancë.” – tha Cuçi.