Vendosni fjalën kyçe....

“E furnizuam Ukrainën me armë nga stoqet tona, kemi arritur limitin”- Kancelari gjerman e gjen përsëri mënyrën për të ndihmuar me armë


Qeveria në Berlin do të paguajë kompleksin ushtarako-industrial gjerman për të prodhuar armë për Ukrainën. Kështu tha të martën kancelari Olaf Scholz pas bisedimeve me anëtarët e G7. Ai shtoi se Bundeswehr-it nuk i ka mbetur asnjë armë për të kursyer për Kievin nga rezervat e veta dhe se do të ketë nevojë për një program riarmatimi në shkallë të gjerë.

“Fillimisht e furnizuam Ukrainën me armë nga stoqet tona. Tani duhet të pranojmë se aftësitë tona kanë arritur limitin e tyre.”– tha Scholz, citon RT. “Prandaj, ne po krijojmë një fond të posaçëm që ushtria jonë, pas shumë vitesh kursime, më në fund të jetë e armatosur mirë dhe ne po investojmë në një shkallë të madhe në aftësitë e Bundeswehr-it.”

Gjermania është në dakordësi të plotë me aleatët e BE-së dhe NATO-s që Rusia nuk duhet të fitojë luftën, tha Scholz pas një bisede telefonike me presidentin amerikan Joe Biden dhe liderët e BE-së dhe G7. Ai tha se për të vazhduar armatosjen e Kievit, Berlini do t’i lejojë Ukrainës të blejë armët që i nevojiten nga prodhuesit ushtarakë gjermanë dhe perëndimorë, për shembull artileri dhe armatime të tjera të rënda.

“Ne do të ofrojmë paratë e nevojshme për blerjen.”– tha Scholz, citon RT. “Qëllimi ynë i përbashkët është të vazhdojmë të armatosim ushtrinë ukrainase në mënyrë që ajo të vazhdojë të mbrohet kundër sulmit rus”.

Shtetet e Bashkuara njoftuan së fundmi një paketë armësh prej 800 milionë dollarësh për Kievin. Qeveria e presidentit Volodymyr Zelensky ka kërkuar armë dhe automjete të rënda.

Berlini po përpiqet të ndjekë shembullin e Uashingtonit, mes frikës se do të shihet si palë në konflikt. Ministri i Ekonomisë, Robert Habeck, ka thënë se Gjermania ka përgjegjësinë “të mos bëhet vetë objektivi” i Rusisë, gjë që mund të ndodhë nëse ajo dërgon tanke ose avionë luftarakë në Ukrainë.