Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata Britanike lëshon urdhër për ekstradimin e Assange në SHBA


Një gjykatë në Mbretërinë e Bashkuar lëshoi të mërkurën, më 20 prill, një urdhër zyrtar për ekstradimin e themeluesit të WikiLeaks, Julian Assange në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me gjyqin për publikimin e dosjeve sekrete në lidhje me luftërat në Irak dhe Afganistan.

Vendimi tani i takon ministres së Brendshme britanike, Priti Patel, megjithëse Assange ka ende mundësi që brenda 14 ditësh të apelojë çdo vendim për miratimin e ekstradimit.

Vendimi i 20 prillit e sjell sagën e gjatë ligjore që u zhvillua në gjykatat e Mbretërisë së Bashkuar më afër përfundimit.

Por avokatët e Assange janë zotuar se do të apelojnë çdo vendim që lidhet me ekstradimin e tij.

“Asnjë apel në Gjykatën e Lartë nuk është paraqitur ende nga ai në lidhje me çështjet e tjera të rëndësishme që ai ngriti më parë”, thanë avokatët e tij në një deklaratë muajin e kaluar.

“Ai proces i veçantë i apelit, natyrisht, ende nuk është nisur”, thanë ata.

Assange iu mohua leja për të apeluar në Gjykatën e Lartë të Mbretërisë së Bashkuar kundër masave për ekstradimin e tij në SHBA, ku ai mund të përballet me burgim të përjetshëm.

Uashingtoni dëshiron ta gjykojë atë në lidhje me publikimin e 500 mijë dosjeve sekrete ushtarake në lidhje me luftërat e udhëhequra nga SHBA-ja në Irak dhe Afganistan.