Vendosni fjalën kyçe....

“Netflix” humbet abonentë për herë të parë në më shumë se 10 vjet


Numri i abonentëve të Netflix-it ka rënë për herë të parë në më shumë se një dekadë.

Kompania e transmetimit të filmave pranoi të martën se ka humbur 200 mijë anëtarë në tre muajt e parë të vitit.

Kjo rënie erdhi pasi kompania ngriti çmimet në tregjet kryesore, përfshirë SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, ndërkohë që u tërhoq nga Rusia.

Por siç shkruan BBC, Netflix paralajmëroi se po vijnë akoma më shumë humbje dhe la të kuptohej se do të fillojë të godasë ndarjen e llogarive mes përdoruesve ndërsa përpiqet të regjistrojë anëtarë të rinj.

Shefi Reed Hastings tha: “Kur po rriteshim shpejt, nuk ishte një prioritet i lartë të punonim në ndarjen e llogarive. Dhe tani ne po punojmë shumë fort për të.”

Ndarja e fjalëkalimit kishte qenë një problem për Netflix “për një kohë të gjatë”.

Në një letër drejtuar aksionarëve, Netflix paralajmëroi se dy milionë abonentë të tjerë ka të ngjarë të largohen në tre muajt e ardhshëm deri në korrik.

Hera e fundit që kompania humbi anëtarë në një tremujor ishte tetori i vitit 2011. Megjithatë ende krenohet me më shumë se 220 milionë abonentë në mbarë botën.