Të tjera detaje mësohen në lidhje me plagosjen e Edis Reçajt mbrëmjen e kaluar në Shkodër.
28-vjeçari i plagosur ka dëshmuar për ngjarjen, duke i thënë policisë se nuk e ka idenë se kush është autori i kësaj ngjarje.
Ai është shprehur se një person i maskuar me kapuç i ka ardhur nga pas dhe e ka qëlluar.
“Një person me kapuç të zi në kokë më erdhi nga pas dhe më ka plagosur në këmbë dhe është larguar me shpejtësi. Nuk e kam idenë se kush është autori që më plagosi. Nuk kam patur konflikte apo probleme me ndonjë person ndaj edhe nuk e di arsyen e kësaj ngjarje.”– deklaroi nga spitali i plagosuri sipas “Balkanweb”.
Megjithatë, policia e Shkodrës ka dyshime se Reçaj është në dijeni të autorit të plagosjes, pavarësisht se ai e ka mohuar këtë.
Dyshimet janë se autori i plagosjes është një person i njohur i 28-vjeçarit. Reçaj ndodhej në trotuar pranë një lokali në lagjen Perash, bashkë me 3-4 persona të tjerë dhe dyshohet se njëri prej tyre e ka plagosur atë në debat e sipër.
Reçaj mësohet se është nipi i shtetasit Edmir Alija, i cili u vra në vitin 2014 në Shkodër bashkë me shtetasin Edmond Batri, ngjarje ku mbeti i plagosur dhe një person tjetër.