Vendosni fjalën kyçe....

Raporti i “Freedom House” për Kosovën: Kapja e shtetit e korrupsioni problem, ish-liderët e vendit lidhje me krimin e organizuar


Freedom House ka publikuar sot raportin për Kosovën.

Raporti e quan vendin pjesërisht të lirë ndërsa në segmentin ku flitet për funksionimin e qeverisë, Freedom House ka folur edhe për mostransparencën e qeverisë Kurti ndërsa ka vënë në dukje se kapja e shtetit e korrupsioni mbeten problem.

Sipas Freedom House, sistemi politik në Kosovë karakterizohet me jostabilitet e mosfunksionim. 

“Sistemi politik i Kosovës, historikisht është karakterizuar me mosfunksionim dhe jostabilitet të tij. Qeveria Kurti, e zgjedhur në shkurt të 2021, herë pas here u përpoq të zbatonte në mënyrë efektive platformën e saj të orientuar drejt reformave gjatë gjithë vitit. Serbia ende ruan ndikimin në veri të Kosovës, ku institucionet kosovare nuk kanë prezencë të fortë. Qeveria ruse, kineze dhe turke kanë ushtruar gjithashtu ndikim mbi proceset qeveritare në Kosovë gjatë viteve të fundit.” – thuhet në raport.

Raporti thekson gjithashtu se kapja e shtetit mbetet një çështje problematike ashtu si edhe korrupsioni, ndërsa thuhet se kuadri institucional për t’i luftuar është i dobët.

“Kapja e shtetit është një çështje e spikatur dhe shpesh është rezultat i klientelizmit, dhënies së paligjshme të favoreve zyrtarëve nga individë ose grupe të pasura. Korrupsioni dhe kapja e shtetit janë të përhapura dhe kuadri institucional për t’i luftuar ato është i dobët. Mandatet e katër organeve kryesore të Kosovës kundër korrupsionit mbivendosen dhe kanë vështirësi në koordinimin e përpjekjeve të tyre. Autoritetet kanë treguar pak përkushtim në ndjekjen penale të korrupsionit të nivelit të lartë dhe kur zyrtarët e lartë ndiqen penalisht, dënimet janë të rralla. Gjatë gjithë vitit 2021, qeveria Kurti ndoqi disa reforma që synonin të luftonin korrupsionin dhe krimin e organizuar, qeveria u angazhua për krijimin e mekanizmave të tinj të verifikimit gjyqësor dhe propozoi hartimin e legjislacionit që do t’i mundësonte qeverisë të konfiskonte “pasuritë e fituara në mënyrë të pajustifikueshme.” – thotë raporti.

Raporti vëren se qeveria e Albin Kurtit ka qenë jotransparente në shumë procese qeveritare, si ndaj Kuvendit të Kosovës, po ashtu edhe ndaj mediave.

“Qeveria Kurti mori një sërë vendimesh kyçë gjatë gjithë vitit, duke përfshirë disa që lidhen me procesin e dialogut Kosovë-Serbi – me transparencë të kufizuar dhe pa u konsultuar me Kuvendin, duke shkaktuar kritika nga opozita dhe grupet e shoqërisë civile. Përkundër miratimit të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike në vitin 2010, i cili kishte për qëllim t’i vinte në dispozicion dokumentet qeveritare sipas kërkesës, institucionet qeveritare shpesh i refuzojnë ato kërkesa me pak ose aspak arsyetim. Gjykatat kanë qenë shumë të ngadalta për t’iu përgjigjur ankesave nga ata të cilëve u është mohuar informacioni i qeverisë për shkak të ngecjeve të vazhdueshme në sistemin gjyqësor.” – vijon raporti.

Në raportin e Freedom House nuk lihen pa përmendur edhe ish-liderët e Kosovës, Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj. Sipas tij, dyshja në fjalë janë ndër figurat e ndryshme të fuqishme në vend që kanë lidhje kriminale.

“Figurat kryesore politike në Kosovë, përfshirë ish-presidentin Thaçi dhe ish-kryeministrin Haradinaj, kanë lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë, të cilët luajnë role të fuqishme në politikë dhe kanë ndikuar në instalimin e liderëve kyç.” – thuhet në raport.