Vendosni fjalën kyçe....

Zgjedhja e Presidentit, Balla takohet sot me Mediun, shtyhet takimi me Alibeajn


Grupet Parlamentare do nisin takimet kokë më kokë për procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës.

Ditën e sotme do zhvillohet edhe takimi i parë ku në proces këtë herë nuk do zhvillohet vetëm nëpërmjet partive por do përfshihet edhe shoqëria civile.

Taulant Balla ka njoftuar se këtë të mërkurë në orën 15:00 do të zhvillojë një takim me përfaqësuesin e grupit parlamentar të Aleancës për Ndryshim, Fatmir Mediu.

Ndërsa takimi me Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj i cili ishte parashikuar në orën 17:00 do të shtyhet për një ditë tjetër, ndërsa mazhoranca do të përfaqësohet nga Taulant Balla, Damian Gjiknuri dhe Elisa Spiropali.

Ky zhvillim vjen një ditë pasi deputetët socialistë, hodhën tre emrat e propozuar në kuti votimi. Nga ky proces sipas kryeministrit Rama do të merret gama e emrave të propozuar, për të dalë më pas në një të vetëm. Nga ana tjetër, vlen të theksohet se dy orë para mbledhjes mes mazhorancës dhe opozitës do të ketë një mbledhje tjetër mbi këtë çështje, me anëtarët e Shoqërisë Civile.

Gjatë kësaj periudhe, deri më datë 4 maj, ku është caktuar edhe seanca e posaçme plenare në Parlament do të ketë vijimësi konsultimesh nga të gjitha palët. Kërkesa e mazhorancës, edhe e disa prej krerëve të grupeve parlamentare është që Presidenti i ri të jetë mbi palët dhe të përfaqësojë unitetin e popullit.