Një incident i pazakontë ndodhi në seancën e sotme plenare pas fjalës së kryeministrit Edi Rama.
Ai bëri akuza të forta ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili kërkoi të replikojë me kreu e qeverisë. Por kryeparlamentarja Lindita Nikolla ia dha fjalën Enkelejd Alibeajt.
Berisha i kërkoi Alibeajt t’i lironte foltoren, por ai bëri rezistencë. I vendosur të flasë, Berisha e shtyu Alibeajn duke i marrë foltoren.
Ish-kryeministri Berisha ka sqaruar incidentin në një prononcim për mediet jashtë sallës së Kuvendit. Ai tha se bëhet fjalë për një keqkuptim dhe se nuk kishte asgjë personale me Alibeajn.
Berisha theksoi se nuk e shqetëson deklarata e Ramës për ndërprerjen e marrëdhënieve me PD-në nëse ai zgjidhet në krye të saj, pasi qëllimi i tij është rrëzimi sa më shpejt i Ramës nga pushteti.
“Qëllimi im është rrëzimi i tij sa më shpejt. Me Alibeajn ishte një keqkuptim. Alibeaj mbase doli se Rama i përmendi emrin, se unë erdha pak me vonesë. Rama më citoi mua disa herë dhe unë duhet të flisja. Një kryeministër që nxirret me policë nga avioni, nuk ka skandal më të madh. Në vendin e tij janë ekzekutuar njerëz për maskat, ka nxjerrë tanket në rrugë për maskat. Rama është i tmerruar nga opozita e vërtetë.” – tha Berisha.