Evi Kokalari ka reaguar në postimin e Ambasadores së SHBA-ve në Shqipëri lidhur me shtyrjen që Sali Berisha i bëri në Parlament kreut të Grupit Parlamentar Enkelejd Alibeaj.
Kokalari i thotë të mos përfshihet dhe se nuk është puna e Ambasadores Yuri Kim se çfarë bëhet në Parlament.
“Boll u përfshive. Nuk është puna jote se çfarë bëjnë ata në Parlament”-shkruan Kokalari.
Ambasadorja Yuri Kim reagoi pas incidentit që ndodhi në Kuvend, mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeajt.
“Ditët e sulmit ndaj ndërtesave, rrahjes ose largimit të të tjerëve nga podiumet, kërcënimit të atyre që thonë me të drejtë ‘JO!’, akuzimit të të tjerëve për veprat e këqija që ke bërë vetë, shtrembërimit të shtetit të së drejtës, mbështetjes te pandëshkueshmëria- ato ditë i përkasin një të shkuare që duhet të mos përsëritet.”-shkruante Kim në “Twitter”.
Incidenti ndodhi gjatë seancës parlamentare pas fjalës së Kryeministrit Edi Rama. Si Berisha, ashtu edhe Alibeaj donin të replikonin por kryeparlamentarja Lindita Nikolla ia dha fjalën këtij të fundit.
Berisha i kërkoi Alibeajt t’i lironte foltoren, por ai bëri rezistencë. I vendosur të flasë, Berisha e shtyu Alibeajn duke i marrë foltoren./Hashtag.al