Vendosni fjalën kyçe....

Incidenti Berisha-Alibeaj, reagon ambasadorja Kim: Ato ditë i përkasin një të shkuare që s’duhet të përsëritet


Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka reaguar pas incidentit që ndodhi më herët në Kuvend, mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeajt.

“Ditët e sulmit ndaj ndërtesave, rrahjes ose largimit të të tjerëve nga podiumet, kërcënimit të atyre që thonë me të drejtë ‘JO!’, akuzimit të të tjerëve për veprat e këqija që ke bërë vetë, shtrembërimit të shtetit të së drejtës, mbështetjes te pandëshkueshmëria- ato ditë i përkasin një të shkuare që duhet të mos përsëritet.”- shkruan Kim në “Twitter”.

Incidenti për të cilin vjen ky reagim nga ambasadorja Kim, ndodhi më herët në Parlament, pas fjalës së Kryeministrit Edi Rama. Si Berisha, ashtu edhe Alibeaj donin të replikonin por kryeparlamentarja Lindita Nikolla ia dha fjalën këtij të fundit.

Berisha i kërkoi Alibeajt t’i lironte foltoren, por ai bëri rezistencë. I vendosur të flasë, Berisha e shtyu Alibeajn duke i marrë foltoren.

Më pas, në një prononcim për mediet jashtë sallës së Kuvendit Berisha tha se bëhej fjalë për një keqkuptim dhe se nuk kishte asgjë personale me Alibeajn.

“Me Alibeajn ishte një keqkuptim. Alibeaj mbase doli se Rama i përmendi emrin, se unë erdha pak me vonesë. Rama më citoi mua disa herë dhe unë duhet të flisja.”- shprehej Berisha.