Vendosni fjalën kyçe....

Banorët e ‘5 Majit’, Laprakës e Paskuqanit përsëri protestë: Duam të dimë se çfarë do të bëhet me ne


Banorët e zonës së ‘5 Majit’, Laprakës dhe të Paskuqanit kanë dalë këtë të premte në një tjetër protestë.

Ata kërkojnë informacion se si do të procedohet me banesat e tyre, pranë ambienteve të Agjencisë Shtetërore të Shpronësimeve.

“Dëgjuam në TV drejtorin e ARRSH-së i cili na ka thënë se nuk kanë lidhje me shpronësimet. Sot kemi ardhur këtu për të pyetur ministren ose një zyrtar se çfarë do të bëhet me banesat tona. Ata kanë thënë se do të marrim bonus qiraje për 3 vite. Këto nuk janë prona që janë vjedhur, sikurse janë këto pallate që bëhen me drogën e tyre dhe prishin banesat tona 1 ose 2 katëshe. Duam të dimë se çfarë do të bëhet me ne.

Nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Këta thonë se ata me letra do të marrin dëmshpërblim, ndërsa ata pa letra asgjë. Në kërkojmë minimumi përgjigje, edhe derën na e kanë mbyllur. Do të vazhdojmë me protestat.”- tha një nga banorët.

Ata kanë treguar se kanë trokitur në derën e institucioneve për të marrë informacion ose për të takuar një zyrtar të ministrisë për problemin e tyre. Por nuk u është hapur dera.