Vendosni fjalën kyçe....

Çim Peka: Yuri Kim, jeni një shantazhuese e drejtësisë dhe minuese e demokracisë


Gazetari Çim Peka ka reaguar lidhur me debatin e sotëm mes ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim dhe ish-kryeministrit Sali Berisha.

Në një postim në rrjetet sociale, Peka e quan ambasadoren një “shantazhuese të drejtësisë dhe minuese të demokracisë”, ndërsa i rendit disa fakte që sipas tij jo të gjithë gazetarët kanë frikë t’i raportojnë.

“Në mos e korruptuar, së paku ju jeni një shantazhuese e drejtësisë dhe minuese e demokracisë!”– shkruan gazetari.

Ai i përmend zonjës Kim se një ditë më parë është takuar me ish-kreun e “G99”: “pasi njeriu që ka në dorë vetingun e gjyqtares që mori vendim ‘Pro’ Alibeajt në shkelje të ligjit, është një ish-kandidat për deputet i ‘G99’ në vitin 2009.”

Ky reagim vjen pasi Berisha e akuzoi sot ambasadoren Kim se po ndërhynte në procesin gjyqësor për PD-në dhe i kërkoi SHBA-së ta ndalnin përfaqësuesen e saj në Tiranë. Deklarata e Berishës erdhi pak para se të mësohej lajmi se Gjykata e Tiranës vendosi të njohë Enkelejd Alibeajn si palë ankimuese në çështjen për njohjen e Statutit të Kuvendit të 11 Dhjetorit të PD-së.

Por Kim iu përgjigj akuzave të Berishës përmes një postimi në “Twitter”, ku shprehej se ajo vetëm i ka inkurajuar gjyqtarët dhe prokurorët që të bëjnë punën e tyre në luftën kundër korrupsionit.

“Nëse ‘ndërhyrja në procesin gjyqësor’ nënkupton inkurajimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që të bëjnë punën e tyre pavarësisht kërcënimeve apo nxitjeve, duke e bërë të qartë që SHBA do të vazhdojë të mbështesë zbatimin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri, duke nënvizuar se askush nuk është mbi ligjin, dhe duke kërkuar që të gjithë ne duhet të bëjmë pjesën tonë për të luftuar kundër korrupsionit dhe mosndëshkimit, atëherë PO, SHBA ka bërë dhe do të vazhdojë ta bëjë pikërisht këtë – sepse lufta kundër korrupsionit dhe përpjekjet për të minuar demokracinë përbëjnë një interes thelbësor të sigurisë kombëtare të SHBA-së.”– shkruante Kim.

KOMENTI I PLOTË I ÇIM PEKËS

Për Yurin, minuesen e demokracisë!

E nderuar zonjë!

-Jo të gjithë gazetarët kanë probleme me ndërhyrje në sistemin e drejtësisë dhe ju mund ti shantazhoni.

-Jo të gjithë gazetarët kanë frikë prej jush se kanë përvetësuar prona edhe në mënyrë të dyshimtë dhe ju prapë mund ti shantazhoni.

-Jo të gjithë gazetarët pranojnë orientime nga ju se kush duhet të ftohet në studio e kush jo.

-Jo të gjithë gazetarët kanë frikë nga ju dhe pranojnë “këshillimet” për temat e debateve në studio.

-Jo të gjithë gazetarët kanë frike tu pyesin dhe pse jo tu akuzojnë se pse po i bëni marketingun një investimi mbi një miliardë dollarë pa tender ndërkombëtar, por me procedure të mbyllur siç është rasti i “Skavicës” nga ju.

-Jo të gjithë gazetarët kanë frikë të denoncojnë faktin që ju dje keni takuar ish kreun e “G99”, pasi njeriu që ka në dorë vetingun e gjyqtares që mori vendim “Pro” Alibeajt në shkelje të ligjit, është një ish kandidat për deputet i “G99” në vitin 2009.

– Jo të gjithë gazetarët kanë frikë të denoncojnë faktin që ju nuk po e inkurajoni drejtësinë, por po e shantazhoni nëpërmjet politikanëve të mazhorancës që e kontrollojnë atë.

-Së fundi, jo të gjithë gazetarët kanë frikë të të kujtojnë se një ambasador amerikan në Shqipëri, që “fliste në emër të Presidentit” amerikan, shpëtoi nga arrestimi prej FBI si i korruptuar, vetëm se kryeministri i vitit 2000 nuk pranoi të dëshmonte kundër tij.

PS: Në mos e korruptuar, së paku ju jeni një shantazhuese e drejtësisë dhe minuese e demokracisë!”