Vendosni fjalën kyçe....

Konsultimet për zgjedhjen e presidentit të ri/ Berisha: Një proces tipik i “Cosa Nostra”-s


Ish-kryeministri Sali Berisha në një konferencë për gazetarët ka folur për procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit, duke e quajtur atë si një proces tipik të “Cosa Nostrës”. Ai përmendi emrin që sipas tij ka dalë nga zarfat e grupit të PS-së. Sipas tij kandidatja është Vali Bizhga.

Po ashtu ai akuzoi Ramën se po përdor metoda mafioze për t’u zgjedhur vetë president.

“Një çështje tjetër që dua të sjell në vëmendjen tuaj është procesi i zgjedhjes së presidentit.

Si mund ta karakterizojmë me një fjalë këtë proces? Në qoftë se javën e kaluar këtu folëm me fakte dhe argumenta të pakundërshtueshme se Kongresi i PS-së ishte më i ngjashëm se me çdo gjë tjetër me një kongres të ‘Cosa Nostras’, unë mund t’ju them ju se procesi i zgjedhjes së presidentit nga një proces dinjitoz që duhet të jetë është shndërruar gjatë javës që po kalon në një proces tipik të ‘Cosa Nostras’.

Edi Rama për të zgjedhur presidentin e Republikës, ka zgjedhur procedurat më mafioze të emrave në zarfa sekretë. Po t’ju pyes unë ju se a e keni marrë vesh se cili ka dalë emri më i përfolur nga zarfat sekretë? A keni dëgjuar ndonjë emër? Nuk keni dëgjuar? Sipas Statistikave të Edi Ramës, dy të tretat e sekreteve i kanë shkuar Vali Bizhgës. Ti nuk e njeh. Ke të drejtë që habitesh. Po çfarë mund të presësh tjetër në një kohë kur emri i saj s’figuron në asnjë zarf. Kësaj i thonë zgjedhje si ‘Cosa Nostra’. Prisni kur të vijnë zarfat e Shoqërisë Civile. U ndala në këtë moment për të theksuar se sa qesharak, sa jo serioz e sa jo transparent e bëri Edi Rama një proces kushtetues dhe po kërkohet kandidati, që në prag të disfatës së tij elektrorale të japë dorëheqjen dhe t’i lëshojë vendin Ramës. Por unë i them se në asnjë mënyrë nuk pranohesh president Republike me metoda mafioze.

Mendon vetëm për veten se si të garantojë mbrojtje ligjore nga afera më kryesore që ka dalë deri më sot, afera incineratorëve, ku ai ka firmosur një procedurë antiligjore për kontratën e incineratorëve. Në këtë kontekst, përgjegjësi numër një, kreu i organizatës është vetë ai dhe Engjëll Agaçi. Sepse mund të dëshironte të vidhte me baule dhe vagonë Arben Ahmetaj, që s’ka asnjë dyshim për këtë, Lefter Koka, Alqi Bllako që është arrestuar, Erjon veliaj, po s’mund të ndodhë kurrë sepse sekretari i përgjithshëm është njeriu që ka detyrimin ligjor të verifikojë ligjshmërinë e të gjitha akteve që firmos qeveria.

Pra Rama ka ditur gjithçka, por i ka lejuar vetes për përfitime personale të firmosë me një proçedurë të dënueshëm, ligjërisht të dënueshme. Nuk ka të ndalur nxjerrja e dokumenteve. Nuk mund të imagjinohet se çfarë ka ndodhur në këtë aferë. Janë institucione të tjera të implikuar gjer në fytyrë.

Ndaj dhe ai mendon tani se si të kalojë nga kryeministër në President, por i them që sot se ajo nbuk do të ndodhë.  Thuhet se ka filluar të ketë telefonata nga Bllako. Ato janë punët e tyre, por Bllako është vetëm një kapter në aferën e madhe ku gjeneralë janë Edi Rama, Agaçi, Ahmetaj, Veliaj etj.

Këto ishin problemet që unë desha të sjell në vëmendjen tuaj, por jam i hapur për çdo pyetje që ju mund të keni.”- tha Berisha.