Vendosni fjalën kyçe....

Nga kriza e çmimeve, përgjigja dhe akuzat për ambasadoren Kim te zgjedhjet për presidentin – Deklaratat e Berishës sot               


Ish-kryeministri Sali Berisha doli në një konferencë për mediet mesditën e sotme, ku foli mbi disa çështje të rëndësishme, duke nisur nga kriza e rritjes së çmimeve, procesi i zgjedhjes së presidentit, incidenti që pati një ditë më parë me Enkelejd Alibeajn, përgjigja komentin e ambasadores Yuri Kim, hetimet e SPAK-ut për çështjen e CEZ, e të tjera.

“Të mbyllen Bordet e Transparencës”

Berisha gjatë fjalës së tij ka kërkuar anulimin e Bordeve të Transparencës të ngritura nga qeveria, duke i kujtuar si forma që të “kujtojnë kohërat e diktaturës”.

“Bordet vetëm sa përligjin spekulimin dhe krijojnë me këtë përligje mundësi dhe rrugë të tjera spekulimi. Anulimi i bordeve përveç entit rregullator të energjisë, i cili është një institucion konstant në çdo vend dhe në çdo kohë.

Por anulimi i menjëhershëm i bordeve është kusht për marrjen e masave, që janë fare të thjeshta. Qeveria kompenson një për një rritjen e çmimit të produkteve të shportës.”– tha Berisha.

Sipas tij, “Bordet e krijuara nga qeveria, janë forma të vjetra që të rikujtojnë kohërat e diktaturave”, pasi nuk mund të ketë borde për rregullimin e çmimit të ushqimeve.

Berisha shton se qeveria ka mënyra të tjera për të adresuar krizën.

Ai i ftoi mediat të investigojnë, dhe të mos harrojnë se interesi publik dhe mbrojtja e tij është detyra më parësore e tyre.

“Bitcoin i kontrolluar nga qeveria gllabëron nga jugu në veri energji falas”

Më tej Berisha u shpreh se Bitcoin i kontrolluar nga qeveria gllabëron nga jugu në veri energji falas.

“Sot produktet e tjera ushqimore, kanë arritur shifra të papërballueshme dhe qeveria ka zgjedhur një ilaç toksik që janë bordet. Ajo vetë po jep shembull në këtë krizë, me rritjen e çmimeve. Tre ditë më parë deklaruan në mënyrën më absurde, se për ata që shpenzojnë mbi 700 kilovat orë do të shumëfishojnë çmimin e energjisë. Kë godasin në këtë mënyre.

Godasin dhjetëra mijëra familje biznese të vogla. Ndërkohë që bitcoini i kontrolluar nga qeveria gllabëron nga jugu në veri energji në mënyrë gratis dhe të papërmbajtur. Pse? Sepse gjerësisht flitet se kontrollin e bitcoin e kanë marrë klanet më të larta qeveritare.”– tha Berisha.

Konsultimet për zgjedhjen e presidentit, proces tipik i “Cosa Nostrës”

Berisha ndërsa fliste për gazetarët lidhur me procesin e konsultimeve të nisur nga maxhoranca për zgjedhjen e presidentit të ri, tha se ky ishte një proces tipik i “Cosa Nostrës”.

“Çështje tjetër që dua të sjell në vëmendjen tuaj, është procesi i zgjedhjes së presidentit. Si mund ta karakterizojmë me një fjalë këtë proces? Në rast se javën e kaluar këtu folëm me fakte dhe dokumente të pakundërshtueshme se kongresi i PS-së ishte më i ngjashëm se çdo gjë tjetër me një mbledhje të “Cosa Nostra”-s, unë mund t’ju them ju se procesi i zgjedhjes së presidentit, nga një proces dinjitoz që duhet të jetë është shndërruar gjatë javës që po kalon në një proces tipik të “Cosa nostra”-s. Edi Rama për të zgjedhur, Presidentin e Republikës ka zgjedhur procedurat më mafioze të emrave në zarfet sekretë.”- tha Berisha.

“Vali Bizhga, kandidatja e PS-së për presidente”

Më tej ai përmendi emrin që sipas tij ka dalë nga zarfat e grupit të PS-së. Sipas Berishës kandidatja e maxhorancës për presidente është Vali Bizhga.

“Mund tju pyes se cili ka dalë nga zarfet sekret emri më i përfolur? A keni dëgjuar ndonjë emër? Nuk keni dëgjuar, jua them unë! Sipas statistikave të Edi Ramës dy të tretat e sekreteve i kanë shkuar Vali Bizhgës. Keni të drejtë që habiteni…

Por çfarë mund të presësh tjetër, në një kohë kur emri i saj nuk figuron në asnjë zarf. Kësaj i thonë zgjedhje si “Cosa nostra”.

Prisni tani kur të vijnë email-et e shoqërisë civile. Unë s’po e avancoj emrin po do e them javën tjetër.”- tha Berisha.

“Rama do të bëhet vetë president”

Pasi e quajti qesharak, jo serioz, jo transparent procesin e zgjedhjes së presidentit të ri, Berisha bëri edhe një deklaratë tjetër. Sipas tij, qëllimi i Ramës në në këtë proces është që të gjejë një person që të jetë i gatshëm për t’u larguar kur Rama të dojë të bëhet vetë President.

“Sot po kërkohet një kandidat që në prag të disfatës elektorale të pranojë të japë dorëheqjen dhe ti lëshojë vendin Edi Ramës, çka s’do të ndodhë kurrë. I them harroje këtë skemë se në mënyrë absolute nuk do të ndodhë kurrë, në mënyrë absolute nuk pranohesh President me skema mafioze.

Mendon vetëm për veten se si të garantojë mbrojtje ligjore nga afera më kryesore që ka dalë deri më sot, afera incineratorëve, ku ai ka firmosur një procedurë antiligjore për kontratën e incineratorëve.”– tha Berisha.

“Do votojmë kundër çdo kandidati të Ramës”

Berisha po ashtu tha sot se Partia Demokratike nuk do të votojë asnjë kandidat, qoftë edhe ai i djathtë, që propozohet nga kryeministri Rama.

“Asnjë kandidat të propozuar nga Edi Rama nuk do ta votoja. Rregulli është rregull. Në qoftë se maxhoranca vendos që tia japë opozitës, atëherë është opozita që negocion, përzgjedh, paraqet një apo dy emra dhe vendoset. Por Edi Rama po bën të kundërtën. Të implikohesh në një proces me zarfe, është njësoj si në një tender secret. Tenderi secret nuk mund të jetë me përjashtim të atyre që bëjnë shërbimet inteligjente.”- u shpreh ish-kryeministri.

“Rama e Gjiknuri falën mbi 630 milionë euro”

Në konferencën e sotme për mediet, nuk u shpëtoi pyetjeve për hetimet e SPAK-ut mbi aferën e CEZ.

Një ditë më parë disa media pranë qeverisë kanë raportuar se ndaj Berishës mund të ketë hetim, ndërsa edhe kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla i bëri thirrje SPAK-ut të hetojë ish-kryeministrin.

Por në përgjigjen e tij, Berisha tha se ky është një skandal i Edi Ramës dhe Damian Gjiknurit.

“Siç kanë dështuar, do dështojnë në mënyrë ekzemplare. CEZ është afera më gjigante e korrupsionit.

Shqipëria kishte një arbitrazh me kompaninë CEZ dhe ky arbitrazh, para se të shkonte Shqipëria, kërkoi vlerësimin me kompani ndërkombëtare të pretendimeve të Shqipërisë. Ato vlerësime u bënë. Kompani serioze ndërkombëtare faktuan se CEZ i detyrohej shtetit shqiptar 630 milionë euro me fatura të faktuara dhe 3.2 miliardë euro me dëmet e krijuara.

Arbitri ndërkombëtar që zgjodhi Shqipëria, ishte besimplotë se do fitonim.

Por çfarë ndodhi? Edi Rama dhe Damian Gjiknuri firmosën marrëveshje me CEZ, pranuan të gjithë kushtet e CEZ, shmangën arbitrazhin, dënuan Shqipërinë me një humbje të tmerrshme, të paktën 630 milionë euro në fatura.

Këto janë 100 përqind të vërtetuara nga KLSH dhe komisioni hetimor parlamentar. Por kur SPAK përdoret si SKAP i partisë, ato janë të destinuara të mbeten në gjumë.

Ndaj çdo lloj që disponohet, madje i këshilloj të manipulojnë, le ta dërgojnë se nuk ka asnjë lloj problemi.”– tha Berisha.

“Alibeaj i keqpërdorur nga Rama”

Berisha folur edhe për incidentin që pati një ditë më parë në Parlament me kreun e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeajn.

Ai e akuzoi këtë të fundit se është keqpërdorur nga kryeministri Rama.

“Së pari njëherë dua të sqaroj për ju dhe gjithë shqiptarët, se çfarë ndodhi dje në Parlament.

Në një kurth banal, të ulët, Edi Rama për të më privuar nga e drejta e replikës për diskutimin e tij, keqpërdori Enkelejd Alibeajn për të dytën herë në mënyrën të pamëshirë. Tani ta zbërthej këtë. Edi Rama foli, siç e dëgjuat dhe gjatë fjalimit të tij lakoi emrin tim me dhjetëra herë. Por rregullorja e Parlamentit përcakton në mënyrë taksatike të drejtën e replikës dhe ajo e drejtë qëkurse është themeluar ky Parlament gjer sot, ushtrohet menjëherë pas folësit. Në këtë kontekst nënkuptohej se fjala për replikë më takonte mua. Por çfarë bënë? Kur unë u nisa, nxorën me vrap veglën e tyre në një akt të turpshëm të bllokojë foltoren në mënyrë që unë mos të flas. Kush ndërhyri? Ju e parë.

Ndërhyri Taulant Begoja, haptaz në mbrojtjen e një njeriu të keqpërdorur që s’mund ta bënte kurrë atë akt sepse ai e di që fjala para atij që do të bëjë diskutimin, i takon atij që ka replikën. Pra i takonte Sali Berishës fjala. Por për të mbrojtur padronin e tij Edi Ramën, duhej ta merrte ai fjalën. Dhe pasi… ai sigurisht shkoi dhe zuri vendin, a e kuptoi a s’e kuptoi aktin. Por njeriu që e mbrojti më shumë qe Taulant Begoja.

Kjo nuk ishte hera e parë.”-tha Berisha.

Përgjigja për Yuri Kim

Berisha i është përgjigjur ambasadores amerikane Yuri Kim, lidhur me komentet e saj mbi incidentin që ish-kryeministri pati një ditë më parë në Parlament me kreun e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeajn.

Pasi u pyet nga gazetarët, Berisha tha se ishte një ndërhyrje qesharake nga “guvernatorja”, duke iu referuar ambasadores.

 “Lidhur me deklaratën, unë mund të them se ishte një ndërhyrje qesharake e guvernatores. Po theksoj këtu se ka marrë fund koha e lojës me kukulla.

Sot ka opozitë të vërtetë. Askush nuk mund t’i diktojë kësaj opozite akuzat që duhet të bëjë dhe nuk duhet të bëjë. Se unë pashë aty shqetësim edhe për akuzat. Të harrojë kush përpjekjet se mund të diktojë.”– tha Berisha.

“Yuri Kim po ndërhyn në Gjykatë”

Më tej, Berisha e akuzoi ambasadoren Kim se po ndërhyn në çështjen për PD-në pranë Gjykatës së Apelit.

“Sikundër unë publikisht sot para mediave shpreh keqardhjen por edhe denoncimin tim për ndërhyrjet e saj direkte në procesin gjyqësor. Javën e kaluar unë iu informova. Thashë se kam informacion për dy burime. Gurvenatorja bën takime për procesin gjyqësor që nuk ka asnjë bazë ligjore.

Kurrë sipas përcaktimit të procedurave të kodit civil nuk mund të konsiderohet palë ajo që nuk është palë. Unë këtu i bëj thirrje qeverisë së SHBA të ndalojë ndërhyrjet e përfaqësueses së saj në proceset gjyqësore në Shqipëri.”- deklaroi Berisha.

Ka prova kundër Yuri Kim?

I pyetur se nuk i bën publike faktet kundër ambasadores Kim, kur vetë i ka kërkuar DASH të bëjë publike provat që ka ndaj tij, Berisha u përgjigj se situatat janë të ndryshme. Megjithatë shtoi se “nëse autoritetet e SHBA-ve e kërkojnë do them gjithçka di”.

Më pas ai shtoi: “Kam 3 burime që më informojnë për ndërhyrje në Gjykatë dhe jashtë gjykate për në Gjykatë. Kam 3 burime.”

Berisha theksoi se “Në asnjë mënyrë nuk akuzoj njeri pa fakte” por provat do i bënte publike në një moment tjetër.

Për Ramën: “Kush i ka kërkuar atij bashkëpunim?”

Berisha iu përgjigj edhe deklaratës së Ramës se do të ndërpresë çdo marrëdhënie me PD-në nëse në krye të kësaj partie zgjidhet ai.

Por Berisha theksoi se ai nuk i ka kërkuar anjëherë bashkëpunim Ramës.

“Nuk i kam kërkuar ndonjë bashkëpunim unë atij. Keni dëgjuar ndonjëherë nga Sali Berisha dua të bashkëpunojë me Edi Ramën? Jo.”- tha Berisha duke theksuar se do të vijojë betejën e tij të pandalshme për rrëzimin e qeverisë.