Vendosni fjalën kyçe....

Rusia rrit dërgesat e naftës mes sanksioneve të Perëndimit – Raporti


Eksportet ruse të naftës së papërpunuar janë rritur megjithë përpjekjet për të ndaluar blerjet e energjisë nga SHBA-ja dhe aleatët e saj, raportoi Wall Street Journal, duke cituar të dhëna nga TankerTrackers.com.

Dërgesat e naftës së papërpunuar nga portet ruse janë rritur në rreth 1.6 milionë fuçi në ditë gjatë muajit prill, krahasuar me 1.3 milionë fuçi në ditë të regjistruara në mars, duke u rritur me 300,000 fuçi në ditë, tregojnë të dhënat.

Ndërkohë, të dhëna të ngjashme nga Kpler, një tjetër ofrues i të dhënave të mallrave, zbuluan se eksportet u rritën në 1.3 milion fuçi në ditë në prill nga një milion fuçi në ditë në mes të marsit.

Çisternat që largoheshin nga portet ruse thuhet se po shkonin drejt ‘destinacioneve të panjohura’ dhe tregtarët evropianë të naftës e kanë blerë atë nën rrogoz.

“Sanksionimi i plotë i naftës ruse nga Bashkimi Evropian do të ishte si të thuash: “Nesër do ulim pagën me 40% dhe duhet të vazhdoni të jetoni sikur asgjë të mos ketë ndodhur.” – tha për mediat Giovanni Staunovo, një analist i mallrave në ‘UBS Group AG’.

“Ndërkohë, ka zbritje të mëdha për naftën ruse në treg. Disave do t’i duket shumë tërheqës ky mjedis.” – shtoi ai.

Në fillim të marsit, SHBA ndaloi importet e naftës ruse, ndërsa BE-ja, e cila importon 27% të naftës së saj nga vendi, është e ndarë në embargo. Sipas shefit të politikës së jashtme, Josep Borrell, për vendimin për ndalimin e furnizimeve me energji ruse mund të vënë veton shtetet anëtare si Gjermania, Austria dhe Hungaria. Ndërkohë, Polonia dhe Franca po e nxisin shumë këtë ide.

Javën e kaluar, presidenti rus Putin tha se shitjet e naftës ruse do të riorientohen nga tregjet në Evropë te ato në Azi me kalimin e kohës.