Presidenca e Joe Biden ka qenë katastrofike për qëndrimin ndërkombëtar të Amerikës, tha ish-presidenti amerikan, Donald Trump, në një takim të Fondacionit Heritage në Florida të enjten. Tërheqja e nxituar nga Afganistani e ka bërë Uashingtonin të dobët në sytë e kundërshtarëve të tij, duke përfshirë Kinën, Rusinë dhe Iranin, beson ai.
“Kina nuk na respekton më, Irani nuk na frikësohet më dhe me pushtimin monstruoz të Ukrainës, Rusia tregoi se sa të dobët mendojnë se janë udhëheqësit tanë.” – tha Trump gjatë takimit, duke shtuar se zhvillime të tilla e kanë sjellë Amerikën në një periudhë të rrezikshme në historinë e vendit.
Ish-presidenti fajësoi administratën Biden për tërheqjen e nxituar nga Afganistani që bëri që talibanët të merrnin kontrollin e vendit në një ofensivë gjithëpërfshirëse.
“Kombi ynë është poshtëruar në Afganistan, ku ne patëm ushtarë të vrarë, lamë pengje amerikanë pas dhe lamë pajisje ushtarake amerikane. Ne u dorëzuam.” – shpjegoi Trump.
Ish-presidenti ka pohuar gjithashtu se, megjithëse administrata e tij po planifikonte gjithashtu të tërhiqte trupat amerikane nga Afganistani, SHBA do ‘largohej me dinjitet e forcë të madhe’ nëse do t’i lejohej të përfundonte atë që kishte planifikuar të bënte.
Trump ka pohuar gjithashtu se do të mbante praninë e SHBA-së në bazën ajrore të Bagramit, dikur baza më e madhe amerikane në Afganistan, e vendosur në veri të kryeqytetit të vendit, Kabul që do shërbente veëm për të monitoruar veprimtaritë e Kinës.
Ish-presidenti ka pohuar gjithashtu se nuk do ta kishte lejuar Rusinë të sulmonte Ukrainën nëse do të kishte qëndruar në Shtëpinë e Bardhë.
“Ata nuk do ta kishin bërë kurrë këtë nën administratën Trump. Asnjëherë, as edhe një mundësi.” – këmbënguli ai, duke shtuar se Moska nuk u angazhua në ndonjë konflikt të ri ushtarak gjatë presidencës së tij.
“Rusia mori Gjeorgjinë nën Presidentin Bush. Ata morën Krimenë nën Presidentin Obama. Ata nuk morën asgjë kur unë isha president, asgjë.” – tha ai, duke shtuar se kjo ndodhi pavarësisht tërheqjes së trupave amerikane nga Siria dhe Iraku si dhe pakësimi i pranisë amerikane në Afganistan.