Vendosni fjalën kyçe....

Berisha për ambasadoren Kim: Do informojmë me hollësi autoritetet amerikane mbi aktet e saj


Ish-Kryeministri Sali Berisha në një prononcim të shkurtër për mediet, komentoi ndërhyrjen që sipas tij ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim ka bërë në procesin gjyqësor për çështjen e PD-së.

Ai theksoi se do të informonte autoritetet amerikane mbi veprimet e përfaqësueses së tyre në Tiranë.

“Nuk besoj se ka patur një shkelje më të rëndë mbi vlerat e lirisë mbi të cilat qëndrojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e lira.

Nuk besoj kurrë se ky është një orientim, është një parim i vendit të saj të madh të lirisë. Ky është një akt individual mbi të cilin ne do informojmë me hollësi autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”- deklaroi Berisha.

Sipas Berishës gjyqtarja e Tiranës Blerina Muça ka qenë nën presion nga ambasadorja dhe ka kryer aktin më të shëmtuar në CV-në e saj, kur vendosi të pranojë si palë Enkelejd Alibeajn dhe të marrë në shqyrtim çështjen.