Ish-Kryeministri Sali Berisha në një prononcim të shkurtër për mediet, komentoi vendimin e gjyqtares së Tiranës Blerina Muça, e cila pranoi të shqyrtonte ankimimin e Enkelejd Alibeajt ndaj vendimit të kolegut të saj, Agron Zhukri, i cili njohu aktet e Kuvendit Kombëtar të 11 Dhjetorit.
Berisha tha se gjyqtarja ka qenë nën presion dhe se ka kryer aktin më të shëmtuar në CV-në e saj.
“Ka një dëshmi kjo, asgjë nuk mund të pengojë PD-në në rrugën e saj si forcë politike e vërtetë opozitare dhe ky zhvillim i sotëm e dëshmon më së miri këtë.
Asgjë, ky është një revolicion, Ju garantoj unë ju. Ju keni parë këto kohë një rënie të valës por që në të vërtetë nuk ka qenë rënie por një angazhim total i këtyre burrave dhe grave në procesin zgjedhor në PD. Por këta sot janë në këmbë. Marshin e lirisë nuk ka forcë që ta ndalë. Sa i përket standardit, një gjykatëse vendosi dje të shkruajë ligjin e shtetit në një akt që kalon çdo imagjinatë, nën një presion të tmerrshëm ndaj të cilit një njeri që ka minimumin e karakterit nuk i lejon vetes akte të tilla. Jam i bindur, kjo është e qarë si drita e diellit. Është po kjo gjykatëse që s’e ka pranuar ankesën tonë… ndërsa tani shpalli palë atë që në mënyrë absolute nuk ishte palë. Shkroi ligjin mendoj unë në aktin më të shëmtuar në CV-së së saj por jo vetëm. Sidoqoftë ky revolucion nuk do ndalet.”– tha ish-kryeministri.
Berisha komentoi edhe ndërhyrjen që sipas tij ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim ka bërë në këtë proces gjyqësor.
“Nuk besoj se ka patur një shkelje më të rëndë mbi vlerat e lirisë mbi të cilat qëndrojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e lira. Nuk besoj kurrë se ky është një orientim, është një parim i vendit të saj të madh të lirisë. Ky është një akt individual mbi të cilin ne do informojmë me hollësi autoritetet e Shteteve të BAshkuara të Amerikës.”– përfundoi Berisha.
Ai para kesaj daljeje për mediet, sapo kishte dhënë votën e tij për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD-së në degën nr.2 në Tiranë. Ai ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, znj.Liri Berisha.