Vendosni fjalën kyçe....

Kanabisi shqiptar mbërrin në Finlandë me postë nëpërmjet Spanjës


Departamenti i policisë Lindore në Uusimaa tha të shtunën se kishte përfunduar një hetim paraprak në rastin e kontrabandës së marihuanës nga një bandë e njohur si Mantaqa.

Sipas mediave finlandeze, policia dyshon se grupi, i përbërë kryesisht nga individë finlandezë, blinin marijuanën shqiptare në Shqipëri dhe e dërgonin me postë në Finlandë nëpërmjet Spanjës.

Mikko Minkkinen, kryeinspektor detektiv në departamentin e policisë Lindore të Uusimaa, tha se midis janarit dhe shkurtit grupi kishte dërguar me postë rreth 70 kilogramë marihuanë në Finlandë. Droga kishte një vlerë rreth 700 mijë euro.

Policia deri më tani ka sekuestruar rreth 13 kilogramë lëndë narkotike kontrabandë.

Hetuesit thanë se një shqiptar i mori pakot me marihuanë nga posta duke përdorur një identitet të rremë. Ky i dyshuar u mbajt në paraburgim pasi u kap nga policia në një apartament në Tikkurila të marrë me qira nga një prej të dyshuarve kryesorë, sipas Minkkinen.

Pasi droga ishte në Finlandë, të dyshuarit e paketuan lëndën narkotike në thasë të mbyllur me vakum në një objekt industrial në Nurmijärvi. Nga aty, çantat përfunduan në rrugët e Helsinkit, Vantaa dhe Kerava.

Katër të dyshuarit kryesorë janë të lindur në vitet 1993, 1995, 1996 dhe 1997. Pesë persona të tjerë dyshohen për vepra të rënda narkotike në lidhje me rastin.