Vendosni fjalën kyçe....

Rama në Durrës: Projekti i Lungomares me impakt të lartë ekonomik, mos të thonë më durrsakët që mbetëm pas Vlorës


Kryeministri Edi Rama paraditen e sotme ka qenë në Durrës ku ka parë nga afër projektin për Lungomarren e Plazhit.

Ai ka publikuar një video nga vizita e tij, ndërsa shkruan: “Bashkia Durrës – Me Anin dhe projektuesit e ndërhyrjes së madhe për një Lungomare në Plazhin e Durrësit, një projekt madhor me impakt të lartë ekonomik.”

Rama pati një takim me kryebashkiaken e Durrësit, Emirjana Sako, ku tha se punimet pritet të fillojnë në vjeshtë. Ai bëri dhe batuta duke thënë se durrsakët s’duhen ankuar më se kanë mbetur pas Vlorës.

“Do e bëjmë siç e bëmë në Vlorë, do të bëhet spektakolare e gjitha, edhe me zgjerimin e brezit të rërës edhe me jetën e natës që do zhvillohet, mos të thonë Durrsakët që mbetëm pas Vlorës. Potenciali është i madh, është vlerë e shtuar. Projekti duhet të mbarojë dhe të përgatitet që puna të fillojë në vjeshtë, pas mbarimit të sezonit veror.”– tha Rama.

Lungomarja e Durrësit do të fillojë nga ura e Dajlanit dhe do të vazhdojë deri te godina e Kavalishencës, në 3 kilometër vijë bregdetare.