Komiteti Hetues i Rusisë tha të shtunën se do të shqyrtojë raportet e mediave se ekspertë të sabotimit nga forcat speciale të Ushtrisë Britanike janë vendosur në Ukrainën perëndimore.
“Këto të dhëna do të kontrollohen tërësisht, veçanërisht duke marrë parasysh faktin se forcat e Shërbimit Special Ajror (SAS) janë shpallur si “ekspertë në organizimin e protestave masive, vrasjeve të figurave politike si dhe përgatitjes së sulmeve terroriste”, tha agjencia në një deklaratw, raporton RT.
Kjo vjen pasi një burim sigurie i tha RIA Novosti më herët gjatë ditës se të paktën dy grupe ushtarakësh britanikë kishin mbërritur në një bazë të Forcave Ajrore të Ukrainës në qytetin Brody në rajonin e Lviv. Ata udhëtuan gjatë gjithë rrugës nga “qyteti Hereford në MB, ku ndodhet selia e SAS,” tha burimi.
Secili grup supozohet se përbëhet nga 8 deri në 10 oficerë, të specializuar në sabotim, luftë guerile dhe rekrutimin e agjentëve për të punuar në territore armiqësore. Ekspertët e SAS konsiderohen si ndër më të mirët në botë në këto fusha.
“Ato nuk janë forca speciale të zakonshme. Ata janë intelektualë. Në secilin grup ka gjithmonë një ideolog – një lloj profesori – dhe pjesa tjetër janë ekspertë në fushat e tyre specifike,” shpjegoi ai.
Kur vendosen në zonat e konfliktit, ekipet e sabotimit SAS zakonisht veprojnë nën maskën e punonjësve mjekësorë ose humanitarë, duke përfshirë grupin e Helmetave të Bardha, i cili ishte aktiv gjatë konfliktit sirian, sipas burimit.
“Ka shumë të ngjarë që këta specialistë të kenë mbërritur për të përmirësuar aftësitë dhe efikasitetin e forcave speciale ukrainase në koordinimin e aktiviteteve të grupeve të tyre sabotuese në territoret ukrainase të kontrolluara aktualisht nga forcat ruse,” tha ai.
Mbretëria e Bashkuar ka qenë një nga mbështetësit dhe furnizuesit kryesorë të armëve të Ukrainës gjatë konfliktit të saj të vazhdueshëm me Rusinë. Londra ka dërguar armë, duke filluar nga sistemet raketore antitank dhe anti-ajrore, deri te automjetet e blinduara në Kiev. Në fillim të këtij muaji, kryeministri Boris Johnson bëri një vizitë të papritur në kryeqytetin ukrainas për t’u takuar me Presidentin Volodymyr Zelensky dhe për ta siguruar personalisht atë për mbështetjen e Britanisë.
Javën e kaluar, The Times raportoi se trupat e SAS ishin gjithashtu në Kiev duke trajnuar homologët e tyre ukrainas për përdorimin e raketave antitank.
Pak ditë më parë, Johnson zbuloi se disa ushtarakë ukrainas ndodheshin në Britaninë e Madhe, ku po trajnohen për të drejtuar 120 mjetet e blinduara të ofruara nga Londra. Një grup tjetër ekspertësh britanikë po trajnonin forcat e Kievit në Poloni për të përdorur pajisje kundërajrore, shtoi ai.
Të premten, kryeministri britanik pranoi se ekzistonte një “mundësi realiste” që Rusia të arrinte fitoren ushtarake në Ukrainë, duke këmbëngulur që dërgesat e armëve në Kiev duhet të rriten.
Moska ka dënuar vazhdimisht furnizimet me armë në Kiev të dërguara nga vendet e NATO-s, duke thënë se ato vetëm destabilizojnë situatën në terren dhe pengojnë perspektivat për paqe. Rusia gjithashtu këmbënguli se autokolonat perëndimore do të bëhen objektiva legjitime për forcat ruse sapo të kalojnë në territorin ukrainas.