Dy kandidatët që luftojnë për presidencën franceze kanë bërë sulme të ashpra ndaj njëri-tjetrit në një përpjekje përfundimtare për të fituar votuesit e pavendosur përpara zgjedhjeve të së dielës.
Emmanuel Macron synon të bëhet presidenti i parë në detyrë që fiton një mandat të dytë për 20 vjet.
Ai tha se e djathta ekstreme e Marine Le Pen ushqehej nga pakënaqësia dhe rrezikonte një shoqëri urrejtjeje. Ndërsa Le Pen tha se kjo “ishte provë e dobësisë së tij”, që përdori fyerjet e vjetra të ekstremizmit.
Sondazhet i japin presidentit në detyrë avantazhin në balotazhin e raundit të dytë, por partia e së djathtës ekstreme e zonjës Le Pen nuk ka qenë kurrë kaq afër pushtetit.
“Macron apo Franca?”
Çështja numër një në këto zgjedhje ka qenë rritja e kostos së jetesës, nga faturat e energjisë dhe blerjet e ushqimeve deri te çmimi i karburantit. Çështje që u ngrit herët nga ekipi i Le Pen, i cili ka premtuar një qeveri të unitetit kombëtar për të sulmuar koston e lartë të jetesës, si dhe një referendum për emigracionin dhe ndalimin e mbajtjes së shamive në publik.
Mesazhi i saj i thjeshtë për votuesit ka qenë: “Macron apo Franca?”.
Ndërsa Macron thotë se “Këto zgjedhje janë një formë referendumi, mbi sekularizmin dhe Evropën”. Ai argumenton se ideja e zonjës Le Pen për një “Evropë të kombeve” do të nënkuptonte një fund të BE-së.
Ai kujtoi votën e Mbretërisë së Bashkuar për t’u larguar nga BE dhe presidencën e Donald Trumpit në SHBA.
“Ka miliona njerëz që, disa orë para Brexit, nuk e kuptuan se cili ishte qëllimi për të votuar në referendum. Miliona vepruan njëlloj në vitin 2016 me Trump. Të nesërmen u zgjuan me dhimbje koke.”– tha ai duke iu drejtuar votuesve, citon BBC.
Duke e akuzuar se ofendoi atë dhe votuesit, zonja Le Pen tha se Franca kishte duruar pesë vjet kaos dhe tani mund të rizbulonte paqen dhe respektin civil. “Ne nuk do ta gjejmë atë me të njëjtin njeri dhe të njëjtin lloj rregulli.”- tha ajo.
“Unë do ta lë fletën e bardhë”
Problemi më i madh për të dy kandidatët është numri i madh i votuesve që do të hedhin vota të zbrazëta ose as nuk do të votojnë fare. Sondazhet sugjerojnë se pjesëmarrja mund të jetë më e ulëta që nga viti 1969.
“Do të votoj bosh, sepse është detyra ime kombëtare të jap votën time, por gjithsesi dua të tregoj pakënaqësinë time me sistemin.”- tha për BBC-në Edrisi, një votues në një periferi jugore të Parisit.
Shumë njerëz në Francë nuk i kanë harruar protestat e jelekverdhëve për kostot e karburantit dhe rritjet e çmimeve që shpërthyen 18 muaj pasi Macron erdhi në pushtet. Zonja Le Pen thotë se ai është një president për të pasurit.