Në zonat e pushtuara përkohësisht, forcat pushtuese ruse po ushtrojnë presion mbi fermerët vendas dhe po vjedhin grurin ukrainas.
Kështu ka deklaruar komisionerja ukrainase për të Drejtat e Njeriut, Liudmya Denisova.
“Në rrethin Svativskyi, rajoni i Luhanskut, autoritetet e të ashtuquajturit ‘LPR’ po i detyrojnë fermerët të fillojnë punimet e mbjelljes. ‘Autoritetet’ e republikës së vetëshpallur u premtojnë fermerëve karburant dhe lubrifikantë falas për të shtetëzuar më pas të korrat në favor të pushtuesve, duke i lënë fermerëve vetëm një pjesë të vogël. Agrarët në rrethin Svativskyi nuk tregojnë mbështetje për një propozim të tillë, kjo është arsyeja pse autoritetet e të ashtuquajturës ‘LPR’ po ushtrojnë presion mbi ta, duke kërcënuar me konfiskimin e pajisjeve bujqësore dhe farave, si dhe me burgim për disidentët.”- thuhet në raport.
Ukrinform shkruan se në rajonin e Khersonit, pushtuesit plaçkitën një kapanon duke çuar të gjithë grurin në Krimenë e pushtuar. Vagonët e trenit me mbishkrimin “Grain” (drithëra në anglisht) u panë më pas duke u larguar nga Krimeja drejt Rusisë kontinentale nëpërmjet urës së ngushticës së Kerçit.
Forcat ruse kanë kapur gjithashtu agrofirmën Agrospivdruzhnist, e cila kultivon rreth 20 mijë hektarë tokë në rrethin Henichesk.
“Veprimet e Rusisë në territoret e pushtuara përbëjnë një krim lufte të përcaktuar me Statutin e Gjykatës Ushtarake Ndërkombëtare dhe Statutin e Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, dhe një shkelje të Konventës së Gjenevës në lidhje me mbrojtjen e personave civilë në kohë lufte.”- theksoi komisionerja.
Ajo i bëri thirrje Komisionit të OKB-së për Hetimin e Shkeljeve të të Drejtave të Njeriut gjatë pushtimit ushtarak rus të Ukrainës dhe “të marrë parasysh këto fakte të krimeve dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut në Ukrainë”.
Një organ special është krijuar tashmë në Ukrainë, i cili do të jetë përgjegjës për ndjekjen penale të kriminelëve rusë të luftës, pavarësisht se ku jetojnë apo udhëtojnë.