Marine Le Pen ka pranuar humbjen në zgjedhjet presidenciale franceze të dielën, por e quajti rezultatin e saj një ‘fitore kumbuese’. Në raundin e dytë, kandidatja e partisë së krahut të djathtë ‘Rally National’ u mund nga presidenti, centristi Emmanuel Macron.
Duke folur pas shpalljes së exit poll-eve të para, Le Pen tha se nuk ka asgjë për t’u ankuar.
“Nuk kam asnjë inat apo hidhërim.” – tha ajo para se të shprehte mirënjohjen e saj për të gjithë ata që e mbështetën në të dy raundet e zgjedhjeve. Ajo gjithashtu kërkoi nga mbështetësit e saj që të votojnë për partinë e saj në zgjedhjet e ardhshme parlamentare këtë verë.
Ka qenë një rrugë e gjatë për Le Pen, vajzën e pesë herë kandidatit presidencial dhe peshës së rëndë të ekstremit të djathtë, Jean-Marie Le Pen. Zgjedhjet e 2022 ishin të tretat për të. Në vitin 2012, ajo doli e treta me 17.9% të votave, pas Francois Hollande dhe Nicolas Sarcozy. Në vitin 2017, ajo kaloi në raundin e parë, por iu desh të dorëzohej ndaj Macron pasi mori pak më pak se 34% në balotazh.
Sipas mendimit të Le Pen, rezultatet e saj mund të nënkuptojnë se Franca është e përgatitur për ndryshim.
Sipas vlerësimeve të Institutit Elabe, Le Pen ka marrë 42% të votave ndërsa Macron ka fituar garën me 58%.
Në raundin e parë, Macron fitoi 27.85% të votave dhe Le Pen mori 23.15%. Rizgjedhja e Macron me sa duket ka ardhur si një lehtësim për një numër vendesh të tjera të BE-së, pasi përpara zgjedhjeve disa liderë evropianë u bënë thirrje votuesve francezë që të mbështesin Macron dhe jo Le Pen.