Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina kërcënon të tërhiqet nga bisedimet e paqes me Rusinë


Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky zbuloi të shtunën se çfarë lloj ngjarjesh mund ta detyrojnë vendin e tij të tërhiqet nga negociatat e paqes me Moskën.

Gjatë një konference për shtyp, Zelensky u pyet se si do t’i përgjigjej Kievi referendumeve të mundshme të pavarësisë në territoret e kontrolluara nga forcat ruse. Presidenti pranoi se kjo do ta detyronte të ndalonte çdo bisedë me Moskën.

“Nëse populli ynë shkatërrohet në Mariupol, nëse shpallet një referendum, një pseudo-referendum në çdo pseudo-republikë të re të Ukrainës, Ukraina do të tërhiqet nga çdo proces negociatash.”– tha Zelensky sipas RT.

Dy ditë më parë, Moska njoftoi kapjen e Mariupolit. Megjithatë, presidenti rus Vladimir Putin anuloi sulmin ndaj fabrikës Azovstal, e cila mbetet streha e fundit e forcave ukrainase, duke përfshirë luftëtarët e regjimentit Azov, në qytetin port strategjik. Trupat ruse duhet të “vulosin zonën në mënyrë që një mizë të mos mund të kalojë”, urdhëroi Putin. Ndërkohë, Zelensky pranoi se për momentin Ukraina nuk është në gjendje të rimarrë Mariupolin ushtarakisht dhe se luftëtarët e izoluar atje janë të vetëdijshëm për këtë.

Zelensky përsëriti dëshirën e tij për të zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta me Vladimir Putinin, pasi “lufta mund të ndalet nga personi që e filloi atë”. Ai shpjegoi se, siç mendon ai, negociatat e drejtpërdrejta mund të jenë një mënyrë më efektive për të arritur paqen sesa të folurit nëpërmjet ndërmjetësve.

“Dua të ndaloj luftën dhe t’i jap fund. Ka rrugë diplomatike dhe ushtarake. Çdo person i shëndetshëm zgjedh rrugën diplomatike sepse e di se edhe nëse është e vështirë, mund të parandalojë humbjen e miliona njerëzve.”- tha Zelensky.

Ndërkohë, Putini nuk e ka përjashtuar mundësinë e një takimi personal me Zelensky, por theksoi se kjo do të varet nga ecuria e bisedimeve mes ekipeve negociatore.