Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina zemërohet keq nga qëndrimi i Austrisë kundër anëtarësimit të Kievit në BE


Kievi është ‘i zhgënjyer’ nga deklaratat jo ‘largpamëse’ të ministrit të Jashtëm austriak Alexander Schallenberg, i cili sugjeroi se anëtarësimi i plotë në BE mund të mos jetë alternativa më e mirë për Ukrainën.

Të shtunën, Schallenberg, ndërsa pranoi se thellimi i lidhjeve me Ukrainën është i nevojshëm pasi BE-ja po eksporton ‘mënyrën perëndimore të jetesës’, tha se modele të tjera përveç anëtarësimit të plotë në BE duhet të konsiderohen për Ukrainën. Ai përmendi anëtarësimin në Zonën Ekonomike Evropiane ose një marrëveshje asociimi si ndër mundësitë.

Duke reaguar ndaj këtyre komenteve, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko lëshoi ​​një deklaratë të fortë të dielën.

“Jemi të zhgënjyer nga komentet e Ministrit të Jashtëm të Austrisë për të ardhmen evropiane të Ukrainës. Ne i konsiderojmë ata si miopë strategjikë dhe jo në interes të një Evrope të bashkuar.” – tha Nikolenko, duke shtuar se Schallenberg injoron pikëpamjen pozitive të ‘shumicës dërrmuese’ të vendeve të BE-së për anëtarësimin e Ukrainës.

Duke iu referuar deklaratave të ministrit të Jashtëm të Ukrainës, Dmitry Kuleba, Nikolenko tha se ukrainasit kanë paguar tashmë ‘një çmim shumë të lartë’ për gabimet e vendeve evropiane.

“Perceptimet e tyre të njëanshme të realitetit tashmë e kanë dobësuar Evropën politikisht dhe ekonomikisht, duke i mundësuar Rusisë të minojë stabilitetin e BE-së dhe të mishërojë agresionin hibrid kundër vendeve evropiane.” – argumentoi zëdhënësi i ministrisë.

Gjatë një vizite të fundit në Kiev, Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel tha se normalisht duhen rreth tetë muaj që Komisioni Evropian të publikojë një opinion mbi një ofertë anëtarësimi, por në rastin e Ukrainës ai duhet të jetë gati deri në fund të qershorit. Michel shtoi se ai ndjen ‘një mbështetje shumë të fortë’ ndaj përpjekjeve të anëtarësimit të Ukrainës në BE.

Anëtarësimi në BE ka qenë prej kohësh ndër objektivat kryesorë për politikanët properëndimorë ukrainas, megjithatë pothuajse asnjë përparim nuk ishte arritur. Që kur Rusia nisi sulmin e saj në shkurt, presidenti Volodymyr Zelensky i ka kërkuar vazhdimisht Brukselit që të pranojë Ukrainën.

Në fillim të prillit, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen i dorëzoi Ukrainës një pyetësor të posaçëm, i cili është hapi i parë që një vend zyrtarisht të bëhet kandidat për anëtarësim në BE. Kievi dorëzoi pjesën e parë të dokumentit më pak se një javë pas marrjes së tij.

Pëgatiti për Hashtag.al, K.Manjani