Vendosni fjalën kyçe....

Borrell: S’ka ende marrëveshje të BE-së për embargon ndaj naftës ruse


Nuk ka mbështetje të mjaftueshme nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian për një embargo të plotë ose tarifa ndëshkuese ndaj importeve të naftës dhe gazit rus, tha të hënën kryediplomati i BE-së Josep Borrell shkruan gazeta gjermane ‘Die Welt’.

“Për momentin, ne në BE nuk kemi një qëndrim të bashkuar për këtë çështje.” – tha Borrell për gazetën.

Eksportet e naftës janë burimi kryesor i valutës së huaj të Kremlinit dhe shumë brenda BE-së kanë bërë thirrje për t’i dhënë fund pagesave të naftës sepse ato financojnë në mënyrë efektive luftën në Ukrainë, të cilën Rusia e quan një ‘operacion ushtarak special’.

Disa vende të BE-së po bëjnë presion për një paketë të gjashtë sanksionesh ndaj Rusisë dhe Brukseli po përgatit një vlerësim të plotë të ndikimit të një ndalimi të naftës ruse si pjesë e masave të mundshme të mëtejshme.

Rusia është furnizuesi më i madh i naftës në Evropë, duke siguruar pak më shumë se një të katërtën e importeve të naftës në BE në vitin 2020, sipas të dhënave nga zyra e statistikave të bllokut Eurostat.

Borrell tha se tema do të diskutohet në samitin e ardhshëm të BE-së që do të mbahet në fund të muajit të ardhshëm dhe se ai nuk priste ndonjë vendim për këtë çështje para asaj kohe.

“Një propozim përfundimtar për një embargo ndaj naftës dhe gazit rus nuk është ende në tryezë.” – tha ai.

Komisioni i BE-së ndoshta do të bëjë propozime për një paketë të gjashtë sanksionesh për shtetet anëtare këtë javë, tha ‘Die Welt’, pa cituar burime.

Të gjitha shtetet e BE-së po punojnë për të shkurtuar varësinë e tyre nga nafta dhe gazi rus, tha Borrell, duke shtuar se ai besonte se blloku do të jetë në gjendje të pakësojë varësinë e tij përfundimisht.